Kriza europiane e gazit ka prekur drejtpërdrejtë dhe Shqipërinë dhe ka ulur ndjeshëm konsumin familiar ndonëse përdorimi i tij në vend është më modest se në vendet e huaja për shkak të strukturës së tij të shpërndarjes.
Fredi.D, kryefamiljari i një familjeje prej 4 personash tregon për gazetasi.al se tani po shfrytëzon sobën me dru për ngrohje, për të përgatitur ushqimin që më parë e përgatiste në sobën me gaz. Kur të mbarojë sezoni i dimrit dhe të mos përdorë më sobën me dru, Fredi tregon se ka përshtatur që tani përdorimin e energjisë elektrike për përgatitjen e ushqimit.
Në dalje të Tiranës, çmimi i një litri gazi ka pësuar rritje më të vogël, duke shkuar në 130 lekë. Por përsëri ka ulur konsumin. Në zonën e Kombinatit, një nga marketet që e ka përshtatur hapësirën e vet dhe për furnizim më të thjeshtësuar të qytetarëve me gaz, tregon se këtë muaj ka pasur shumë pak, pothuajse asnjë porosi nga banorët që blenë përherë aty.
Një dukuri që tregon Leo, drejtuesi i këtij marketi është se qytetarët zgjedhin të shkojnë vetë tek pikat e karburantit dhe të marrin atje sasinë e nevojshme për konsum shtëpiak, ku mund të blihet me 70-80 lekë për litër.
Punonjësit e disa pikave të karburanteve në Tiranë dhe Durrës tregojnë se deri tani nuk kanë vënë re luhatje të furnizimit të mjeteve me gaz pasi, fillimisht nuk ka shumë të tilla, por gjithashtu gazi është ende përsëri lëndë e përballueshme për një përdorues makine.
Drejtuesja e Dua Gaz Tirana, një pikë shpërndarjeje e gazit në Tiranë, tregon për gazetasi.al se rritja e çmimit të litrit të gazit ka ulur përdorimin e tij nga qytetarët, në raport mujor dhe vjetor.
“Një litër gaz shitet 180 lekë tani, kur vetëm 1-2 muaj më parë ishte rreth 50 lekë. Nga kjo qytetarët kanë ulur konsumin në sasi, por ka edhe nga ata që e kanë zëvendësuar atë plotësisht me energjinë elektrike. Ata që e mbanin për ngrohje më parë, nuk e përdorin më. Ngrohen me elektricitet. Edhe pse ajo është rritur nga ana tjetër”.
Ajo shton se edhe baret, restorantet e kanë ulur përdorimin e gazit në ambientet e tyre, kur para pak kohësh mund të merrnin 3 mbushje njëkohësisht, tani marrin vetëm 1.
“Gjithsesi ne nuk presim më rritje dhe kompanitë më të mëdha na kanë paralajmëruar për reduktim të çmimit në fillim të janarit”.
Rritja e tarifës së gazit përveç se pasojë e faktorëve ekonomikë global, është ndikuar nga konfliktet gjeopolitike në Europë. Rusia si vend origjine i sasisë më të madhe të gazit natyror në Europë, po e përdor këtë pozitë si presion ndaj vendeve të NATO-s dhe SHBA-së për ndërhyrjen e tyre në konfliktin e shtetit rus me Ukrainën.
Sipas zyrtarëve, Rusia mund të ndalojë plotësisht furnizimin e Europës me gaz. Konflikti është përshkallëzuar edhe me vendimin e qeverisë gjermane për të pezulluar ndërtimin e gazsjellësit Nord Stream 2. Komisionerët europianë thonë se nevoja e shteteve europiane për gaz është aq e madhe, në këmbim të së cilës, mund të pranohen dhe konfliktet ushtarake.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




