Kriza e furnizimit me energji elektrike në Kosovë u përkeqësua pas dështimit të njësisë A3 në termocentralin në Obiliq më 28 gusht, njoftoi kompania kosovare e shpërndarjes së energjisë KEDS.
Vendi i vogël ballkanik mbështetet kryesisht në prodhimin e termocentraleve me qymyr, për shkak të rezervave të mëdha të linjitit. Është vlerësuar se Kosova ka rezervat e pesta më të mëdha të linjitit në botë deri në 14 miliardë tonë, por termocentralet e saj janë të vjetruara dhe vazhdimisht kanë nevojë për riparim.
Sipas ekonomistëve, mungesa e energjisë elektrike vazhdon të dëmtojë bizneset në vend.
“Operatori i Transmisionit KOSTT ka kërkuar nga KEDS-i që të bëjë kufizime emergjente të energjisë elektrike si pasojë e dështimit të njësisë A3 nga sistemi”, thuhet në një postim të KEDS-it në Facebook.
Kjo do të thotë se në Kosovë aktualisht prodhohen më pak se 400 MW.
KEDS ka theksuar se përballë kufizimeve emergjente do të jetë shumë e vështirë që të njoftohen me kohë të gjithë konsumatorët.
“Aktualisht kufizimet janë dy orëshe, por për të mos përkeqësuar më tej situatën, kërkojmë nga të gjithë konsumatorët që të kursejnë maksimalisht energjinë elektrike. Përdorimi i tij në mënyrë efikase do të thotë që të gjithë kemi më shumë energji elektrike”, ka njoftuar KEDS-i për konsumatorët.
Paraprakisht, më 15 gusht, kompanitë energjetike të Kosovës kanë njoftuar qytetarët se po vendosin kufizime të energjisë elektrike për shkak të mungesës së prodhimit dhe pamundësisë për të mbuluar çmimet e importit. Pas kësaj,Shqipëria ndërhyri për të ndihmuar Kosovën fqinje për të shmangur kufizimet e energjisë elektrike, por kjo ishte për një periudhë të shkurtër kohore.
Ndërkaq, transmetuesi RTK citoi kryetarin e Aleancës së Bizneseve të Kosovës, Agim Shahini, të ketë thënë se aleanca i ka propozuar qeverisë disa masa për tejkalimin e krizës energjetike në vend. Shahini tha se Kosova mund t’i shesë qymyr Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Ne i kemi propozuar qeverisë disa masa për tejkalimin e krizës energjetike, duke marrë seriozisht ofertën e Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë për shitjen e qymyrit në këmbim të energjisë elektrike. Kjo është një strategji afatshkurtër dhe një mundësi e mirë për të dalë nga kriza. ”, tha Shahini.
Në fillim të këtij muaji, mediat raportuan se prodhuesi shtetëror i energjisë elektrike i Maqedonisë së Veriut ESM është i interesuar të marrë pjesë në një tender për prokurimin e qymyrit nga Kosova.
Maqedonia e Veriut ka nevojë për qymyr nga Kosova fqinje për termocentralet e saj në përgjigje të mungesës së energjisë elektrike.
Maqedonia e Veriut është e varur nga importet e energjisë dhe prodhon vetëm energji elektrike. Nuk ka gaz apo naftë dhe ka sasi të kufizuara qymyrguri.
Burimi: Intellinews.com/ Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




