Nga Gazeta ‘Si’-Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe nisën bombardimet kundër pozicioneve të rebelëve Houthi në Jemen pasi militantët e mbështetur nga Irani, refuzuan të dëgjojnë paralajmërimin për të mos vazhduar sulmet e tyre në Detin e Kuq.
Sipas New York Times pritet pjesëmarrja e aleatëve të tjerë, përfshirë Holandën, Australinë, Kanadanë dhe Bahreinin, në “aleancën” për të ndaluar grupin e militantëve që të ndërpresin kalimin e anijeve përmes detit të Kuq.
Këto bombardime shënojnë përgjigjen e parë ushtarake amerikane ndaj asaj që ka qenë një fushatë e vazhdueshme sulmesh me dronë dhe raketa kundër anijeve tregtare që nga fillimi i konfliktit Izrael-Hamas dhe vijnë vetëm një javë pasi Shtëpia e Bardhë dhe disa vende aleate lëshuan një paralajmërim përfundimtar.

Presidenti amerikan, Joe Biden tha se sulmet kishin për qëllim të demonstronin se SHBA-ja dhe aleatët e saj “nuk do të tolerojnë” sulmet e pandërprera të grupit militant në Detin e Kuq. Dhe ai tha se ata e bënë këtë veprim vetëm pas përpjekjeve për negociata diplomatike dhe diskutime të kujdesshme.
“Sot, në drejtimin tim, forcat ushtarake të SHBA-së – së bashku me Mbretërinë e Bashkuar dhe me mbështetjen e Australisë, Bahreinit, Kanadasë dhe Holandës – kryen me sukses sulme kundër një numri objektivash në Jemen të përdorura nga rebelët Houthi për të rrezikuar lirinë e lundrimi në një nga rrugët ujore më vitale në botë”, tha Biden në një deklaratë.
Ai vuri në dukje se sulmet rrezikuan personelin amerikan, marinarët civilë e tregtinë dhe shtoi: “Unë nuk do të hezitoj të drejtoj masa të mëtejshme për të mbrojtur popullin tonë dhe rrjedhën e lirë të tregtisë ndërkombëtare sipas nevojës”.
Sipas Times dhe mediave të tjera amerikane dhe angleze, shpërthime u dëgjuan në Jemen, vetëm disa orë pasi Rishi Sunak i dha dritën jeshile sulmeve ajrore britanike.
“Me urdhrin tim, forcat ushtarake amerikane, së bashku me Mbretërinë e Bashkuar dhe me mbështetjen e Australisë, Bahreinit, Kanadasë dhe Holandës, kanë kryer me sukses sulme kundër një numri objektivash në Jemen të përdorura nga rebelët Houthi për të minuar lirinë e lundrimit në një nga rrugët ujore më vitale në botë”, shkroi presidenti amerikan Biden.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Nasser Kanani, i dënoi me forcë sulmet e SHBA-së dhe Britanisë në Jemen, duke i konsideruar ato një veprim arbitrar dhe një shkelje të qartë të sovranitetit dhe integritetit territorial.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




