Para

Kriza e COVID-19 goditi edhe tregun valutor, por tanimë është amortizuar tërësisht

Kriza e shkaktuar nga pandemia COVID-19 nuk harroi të godasë as tregjet financiare, që gjithnjë janë shumë të ndjeshme ndaj asaj çfarë ndodh.

Në vend, menjëherë pas vendosjes së karantinës, situata u reflektua në tregun e këmbimit valutor ku monedha kombëtare nisi të nënçmohej dhe monedha e përbashkët europiane të merrte hov.

Vlera më e lartë e monedhës së eurozonës do të shënohej në datën 30 mars kur sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë 1 euro do të këmebeheh me 131,06 lekë, vlera më e lartë prej të paktën muajit korrik 2019-të.

Por, sipas Bankës së Shqipërisë, tremujori i dytë i vitit është karakterizuar nga një situatë e qetë dhe prime të përmbajtura rreziku në tregjet financiare.

Banka sqaron se përhapja e pandemisë në vend nuk cënoi funksionimin normal të tregjeve, me përjashtim të goditjes afatshkurtër që dha në tregun valutor, goditje e cila është amortizuar tashmë plotësisht.

Kursi i këmbimit është shfaqur i qëndrueshëm që prej fundit të muajit prill, në një nivel lehtësisht më të lartë se ai i fillimit të vitit. Goditja e pësuar në fund të muajit mars u amortizua brenda muajit pasardhës (prillit) dhe treguesit e rrezikut në tregun valutor janë stabilizuar tashmë, duke shkuar drejt mesatares së tyre historike.

Qëndrueshmëria e kursit të këmbimit dhe mungesa e nënçmimit të fortë të lekut pas përhapjes së pandemisë është diktuar, sqaron BSH, nga tkurrja e deficitit tregtar gjatë kësaj periudhe. Kjo ecuri është paksa e ndryshme nga zhvillimet në vendet e rajonit me regjim të lirë të kursit të këmbimit, ku monedhat u nënçmuan ndjeshëm dhe disa prej tyre mbeten ende të tilla, si pasojë e përkeqësimit të pozicionit të jashtëm të ekonomisë.

Kursi eur/lek është luhatur ngushtësisht rreth vlerës 124.1 lekë/euro që prej fundit të muajit prill. Ky nivel është rreth 1.6% më i lartë se ai i shënuar në dy muajt e parë të vitit, përpara prekjes së vendit nga pandemia. Në krahasim me një vit më parë, leku është nënçmuar kundrejt euros me rreth 1.4%.

Këtë banka e shpjegon me reduktimin e prurjeve sezonale të turizmit dhe dobësimit të aktivitetit ekonomik në përgjithësi, të cilat kanë diktuar mungesën e mbiçmimit sezonal të lekut gjatë tremujorit të dytë.

Sipas të dhënave të bankave një euro këmbehet sot me 123,50 lekë duke rënë me 0,32 pikë përqindjeje nga një ditë më parë (123,82).

Por që prej muajit prill, kur goditja nga kriza e shkaktuar nga pandemia nisi të amortizohej, këmbi euro-lekë është luhatur mes 123,37 lekë-123,82 lekë.

 Treguesit e stresit në tregun valutor – luhatshmëria dhe spread-et e kuotimit – janë kthyer në vlerat e tyre normale. Gjithashtu, në treg nuk vërehen pozicionime të njëanshme për blerje apo shitje nga aktorët e tregut. Treguesi i anshmërisë dëshmon mungesën e pritjeve të njëanshme për mbiçmim apo nënçmim të lekut. Ecuria e kursit usd/lek ka reflektuar nënçmimin e dollarit amerikan në tregjet ndërkombëtare prej gjysmës së dytë të muajit maj. Kursi usd/lek rezultoi mesatarisht 113.8 lekë/usd dhe 110.4 lekë/usd në muajt maj dhe qershor, nga 115.4 lekë/usd në muajin prill. Mbiçmimi i lekut kundrejt dollarit ka vijuar edhe në javët e para të muajit korrik. Në krahasim me një vit më parë, leku është i nënçmuar kundrejt dollarit amerikan, me 2.8%.

Në tregun valutor vendas dollari amerikan blihet sot me 103.60 lekë dhe shitet 104.80 lekë. Një ditë më parë sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një dollar këmbehej me 104,11 lekë.

Kursi nominal efektiv i këmbimit ka mbetur mesatarisht i pandryshuar në tremujorin e dytë të vitit. Mbiçmimi vjetor efektiv është zbutur në këtë tremujor, duke zbritur në 0.7%, nga 2.8% që shënonte në tremujorin e parë të vitit. Ecuri të ngjashme ka shfaqur edhe kursi efektiv real. Forcimi real vjetor shënoi 1.3% në tremujorin e dytë, nga 2.2% në tremujorin e parë të vitit.

Agjentët e këmbimit valutor në kryeqytet të pyetur nga gazeta “Si” thonë se nuk bëjnë dot parashikime për të ardhmen e afërt apo atë afatmesme sepse sipas tyre gjithçka do të varet nga ecuria epidemiologjike. Megjithatë ata thonë se i druhen një vale të dytë të virusit, e cila nëse do të përkeqësojë situatën në vend, do të godasë edhe tregun e këmbimit valutor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë