Treg

Kriza demografike, 38 mijë shqiptarë pjesë e skemës së pensioneve private

Nga Gazeta ‘SI’ – 38 mijë shqiptarë janë bërë pjesë e skemës private të pensioneve në 2023-shin.

Shifrat i raportoi Mimoza Kaçi, Drejtorja e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, duke shtuar se aktivet neto të këtij tregu arritën në 6.7 miliardë lekë.

Rreth 96% e këtyrë aktiveve janë investuar në borxhin e qeverisë. Gjatë vitit 2023, në tregun e fondeve të pensionit privat ushtruan aktivitetin e tyre gjashtë fonde pensioni të administruara nga katër shoqëri administruese, të cilat përveç administrimit të fondeve të pensionit janë licencuar për të administruar edhe sipërmarrje të investimeve kolektive.

“Tregu i fondeve të pensionit privat ka vijuar tendencën e tij në rritje, sa i përket vlerës së aktiveve neto dhe numrit të anëtarëve. Në fund të vitit 2023, aktivet neto të këtij tregu arritën në 6.7 miliardë lekë, duke u rritur me 18.2%, ndërsa numri i anëtarëve arriti në mbi 38 mijë. Mbi 96% e aktiveve neto janë të investuara në obligacione të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Përsëri, hapësirat për zgjerimin e mëtejshëm të këtij tregu mbeten të konsiderueshme dhe ligji i ri, i miratuar në vitin 2023, pritet të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të tregut të fondeve private të pensionit”, tha Kaçi në komisionin e Ekonomisë.

Shoqëritë private të fondeve të pensionit, por edhe vetë Instituti i Sigurimeve Shoqërore, ISSH, kanë nxitur orientimin e qytetarëve drejt kësaj forme investimi.  E njohur si Kolona e Dytë në skemën e pensioneve, pensionet private përmenden si zgjidhja e krizës së punonjësve në vend, me largimin e fuqisë punëtore dhe rritjen e numrit të të moshuarve.

Një ligj i ri i miratuar në fillim të këtij viti, parashikonte uljen e kostos administrative në 2.5% nga 3% që ishte dhe rriti vlerën e patatueshme.

“Projektligji parashikon gjithashtu lehtësi fiskale edhe për pagesat e marra nga anëtari i fondit të pensionit. Sot sipas ligjit në fuqi, pagesat e marra nga anëtari i fondit tatohen me normën e të ardhurave personale 15%, njëlloj si çdo e ardhur tjetër, ndërsa ajo që propozohet dhe parashikohet në projektligj është që pagesat e marra nga anëtari i fondit në mënyrë periodike mujore, në formë pensioni, të zgjatura në kohë, jo më pak se 2 vjet, pra që të zgjatet dhe koha e marrjes së pensionit, tatohen vetëm për kthimin nga investimi me normën në fuqi të tatimit mbi të ardhurat personale”, shpjegoi ministri i Financave, Ervin Mete.

Projektligji parashikon dy forma të fondeve të pensionit: “Fond pensioni me pjesëmarrje të hapur” dhe “Fond pensioni me pjesëmarrje të mbyllur”. I pari është fondi që nuk parashikon kufizime në anëtarësim dhe krijohet nga shoqëria administruese, ndërsa ai i mbyllur krijohet nga një punëdhënës, shoqëri etj me pjesëmarrje të mbyllur, vetëm për anëtarët e subjektit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë