Politike

Kriza, ambasadori gjerman: Nuk ndërhyjmë! Kushtet e Bundestagut ishin prej kohësh

Gjermania nuk do të ndërhyjë në zgjidhjen e krizës politike shqiptare. Ky është qëndrimi i dhënë nga ana e ambasadorit të Republikës Federale të Gjermanisë, Peter Zingraf gjatë një konference për shtyp me rastin e nisjes së Tetorit gjerman, nga ku është parashikuar të zhvillohen një sërë aktivitetesh. Sipas tij zgjidhja e krizës duhet të vijë nga vetë partitë dhe palët.
“Jam i bindur që zgjidhja për konfliktet politike duhet të vijë nga vetë politika dhe institucionet shqiptarë. Nuk e shikoj Gjermaninë si një lloj ndërmjetësi. Kemi folur me përfaqësues të partive politike, ne kemi ofruar mbështetjen tonë teknike, edhe për reformën zgjedhore. Të gjitha partitë të ulen bashkë. Kemi folur me palët dhe kemi dhënë mbështetjen tektine dhe në kuadër të komisionit të reformës zgjedhore. Një ekspert gjerman ka bashkëpunuar duke vendosur në tavolinë një draft mbi të cilin mund të vazhdohet të punohet” tha më tej ambasadori Zingraf, duke e konsideruar tryezën për reformën zgjedhore të pak ditë më parë, si një sinjal pozitiv.
Duke folur mbi votimin e fundit të Bundestagut gjerman ku u votua pro çeljes së negociatave për Shqipërinë, por me kushte, diplomati gjerman theksoi se debati i ishte i thellë dhe serioz dhe kjo ashtu siç është shprehur dhe një gazetar gjerman është një dëshmi qe Shqipëria do të pranohet në BE.

Ambasadori gjerman në konferencën e sotme


“Në të vërtetë Bundestagu ka formuluar disa kushte që duhet të plotësohen në një hap të parë dhe më pas në një fazë të dytë duhet të plotësohen kushtet e tjera. Është e rëndësishme që të theksojmë tani po pritet se çfarë vendimi do të marrin dhe vendet e tjera të BE. Kushtet që u formulën ishin artikuluar prej kohesh para këtij vendimi”, theksoi Zingraf.
Bundestagu votoi pro çeljes së negociatave me Shqipërinë, duke vendosur 9 kushte, të ndara në dy faza, me qëllim marrjen e dritës jeshile nga Bashkimi Europian. Në fazën e parë kërkohet ngritja e Gjykatës Kushtetuese, asaj të Lartë dhe reforma zgjedhore, ndërsa më pas renditen edhe ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë, si SPAK. Bundestagu kërkon që të jetë Gjykata Kushtetuese institucioni që do të vendosë për fatin e zgjedhjeve të 30 qershorit, për të interpretuar mbi legjitimitetin e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë