Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social “X” lidhur me debatet e fundit mbi draftin e ri të Kodit Penal, i cili është bërë publik nga qeveria për konsultim.
Ai ironizoi kritikat që kanë ardhur nga aktorë të ndryshëm politikë, mediatikë dhe juridikë, duke i quajtur “të alarmuar” dhe duke u sugjeruar që të mos ekspozohen shumë në diell.
“Të alarmuarit nga drafti i Kodit të ri Penal dhe gojëmbyllja me ligj e forcave liridashëse politike dhe mediatike, mbase duhet të kujdesen që të mos ekspozohen shumë në diell,” shkroi Rama.
Ai theksoi se drafti është hartuar nga ekspertë të fushës dhe është prezantuar publikisht me qëllimin për të mbledhur sa më shumë opinione, në mënyrë transparente dhe demokratike.
Të alarmuarit nga drafti i Kodit të ri Penal dhe gojëmbyllja me ligj e forcave liridashëse politike dhe mediatike, mbase duhet të kujdesen që të mos ekspozohen shumë në diell, ndërkohë që drafti i ekspertëve të nderuar të fushës është prezantuar publikisht pikërisht për të…
— Edi Rama (@ediramaal) August 4, 2025
Në fund të reagimit të tij, Rama u ndal edhe te përdorimi i lirisë në Shqipëri, duke theksuar se problem më i madh, sipas tij, nuk është drafti i kodit apo ndonjë rrezik për lirinë, por mënyra sesi një pjesë e individëve e përdorin atë.
“Hëpërhë problem më serioz që ka liria në Shqipëri nuk është as regjimi, as drafti i kodit të ri jo e jo, po masa domethënëse e atyre që e përdorin lirinë vetëm për të bërë sherr e shamata për mungesën e saj,” përfundoi Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



