Gazeta Si – Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka reaguar pas denoncimit të kryeministrit Edi Rama të gjykatësit, Marko Boshku, ku shpreh solidaritet të plotë me gjyqtarin, duke theksuar integritetin dhe modelin e tij profesional.
Duke i cilësuar këto sulme të Ramës si të paprecedenta, shoqata i kërkon Këshillit të Lartë Gjyqësor që të ketë një qëndrim më të prerë në mbrojtje të gjyqtarëve.
Shoqata thotë se sulmet që Rama po bën i përkasin një mentaliteti të regjimit të kaluar, ndërsa thotë se këto reagime të kryeministrit mund të konsiderohen vepër penale.
“Postime dhe komente si ai që është bërë ndaj gjyqtarit Marko Boshku janë në kufijtë e veprës penale dhe, si të tilla, do të monitorohen nga kjo Shoqatë, duke vendosur dhe hapat që do të ndërmerren në çdo rast. Sulmi ndaj gjyqtarëve të veçantë përbën sulm ndaj të gjithë pushtetit gjyqësor dhe kjo, pa mëdyshje, është jo vetëm një tentativë për uzurpimin të këtij pushteti por mund të ketë pasoja në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Parimi i ndarjes së pushteteve është një nga tiparet që e dallon një shtet të së drejtës nga një shtet diktatorial dhe kjo ndarje pushtetesh fillon nga kultura e pranimit të ekzistencës së sferave të kompetencave që nuk të përkasin. Sulmi ndaj një pushteti tjetër jo vetëm që e minon këtë parim gurthemelës të Kushtetutës sonë por është shprehje e një mentaliteti që i përket një regjimi tjetër”, thuhet në deklaratë.
Ndërkohë, Shoqata e Gjyqtarëve i bën thirrje partnerëve ndërkombëtare të mbështetin sistemin e drejtësisë së reformuar dhe të ndikojnë tek autoritetet vendase për të respektuar gjykatësit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



