Politike

Kritikat e Ramës ndaj Balliut e Demirit, Unioni i Gjyqtarëve: Po denigrohemi! KLGJ të mbajë qëndrim

Nga Gazeta ‘Si’- Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama ndaj disa gjyqtarëve të Gjykatës Administrative të Tiranës, të cilët i ka akuzuar se kanë marrë vendime kundër “interesit publik”.

Në një deklaratë publike, UGJSH shprehet se gjuhë të tilla denigruese dhe presioni i hapur mbi gjyqtarët minojnë pavarësinë e drejtësisë dhe cënojnë parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve.

Sipas tyre, qeveria, jo vetëm denigron figurën e gjyqtarëve individualë, por ushtron presion të hapur ndaj trupës gjyqësore në tërësi, duke përcjellë mesazhin te gjyqtarët se nëse vendimmarrja e tyre nuk do të pëlqehet, do të jenë objektivat e radhës.

Unioni vëren se kuadri kushtetues dhe ligjor i vendit “nuk lejon përfaqësuese të pushteteve të tjera të anatemojnë vendimet e gjykatave e aq me keq, të kërkojnë ndëshkimin e gjyqtarëve, kur nuk u pëlqejnë vendimet e tyre”.

Sipas tij, një situatë e tillë është një hap prapa për pavarësinë e pushtetit gjyqësor, forcimin e shtetit të së drejtës dhe minon besimin e publikut te drejtësia.

UGJSH kërkon edhe një reagim nga Këshilli i Lartë Gjyqësor që të mbajë një qëndrim ndaj ‘sulmeve që iu bëhen gjyqtarëve për shkak të detyrës, pavarësisht se nga vijnë ato’.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë