Politike

Kriteret për zgjedhjen e kandidatëve të PD për kryebashkiak

Prej ditësh, politika shqiptare po përballet deri në ekstrem me nismën e opozitës për Vettingun e politikës. Projektligji do të shkojë për konsultime për komisionin e Venecias, por Partia Demokratike, parimet e këtij drafti ka vendosur t’i zbatojë për të zgjedhurit e saj në strukturat e partisë, kryetarët e partive në rrethe, mbi të gjitha për kandidatët për kryetar bashkie dhe këshilltarë bashkiak.

Një urdhër që mban firmat e kryedemokratit Lulzim Basha dhe të sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Arben Ristani, i datës 26 shtator, përcakton rrugët që do të ndiqen për zgjedhjen e strukturave të partisë më të madhe opozitare që nga grupseksionet, krerët e degëve të PD-së, si dhe kandidatët për kryetar bashkie dhe këshilltar për zgjedhjet e ardhshme lokale.

Me këtë proces të nisur përpara zgjedhjeve lokale ka si synim rifreskimin statutor të strukturave drejtuese vendore nëpërmjet zgjedhjes dhe promovimit të anëtarëve më të aftë dhe të sprovuar, të gatshëm të marrin përsipër sfidën elektorale dhe ta drejtojnë PD drejt suksesit.

Gjithashtu synohet riorganizimin e PD në të gjitha nivelet e strukturës vendore të saj për të rritur kontaktin me votuesin, identifikimin e tij, si dhe për të kontrolluar me efikasitet territorin elektoral.

Duket si një proces katarsisi që nis brenda radhëve të demokratëve, që synon të ketë si kalë beteje në zgjedhjet e ardhshme pastrimin e politikës nga krimi.

“Në kushtet kur zgjedhjet vendore po afrojnë, dhe kur: Shqipëria ka dështuar të marrë rekomandimin për hapjen e negociatave për anëtarësim nga BE si pasojë e kriminalizimit të qeverisjes, korrupsionit galopant dhe ngecjes në vend te reformave thelbësore si p.sh. reforma zgjedhore dhe reformat ekonomike; Përballë Partisë Demokratike dhe shqiptarëve qëndron një pushtet i kriminalizuar dhe i korruptuar, një qeverisje e pakontrolluar nga Kushtetuta dhe nga sistemi i kapur i drejtësisë dhe shumë larg interesave të Shqipërisë dhe shqiptarëve; Shqiptarët presin zgjidhje të menjëhershme për problemet e thella sociale dhe ekonomike që ka vendi”, thuhet në udhëzimin e PD-së.

Kriteret për kandidatët

Brenda 30 shtatorit duhet mblidhen grupet e punës në mënyrë që procesi zgjedhor në PD, sipas parimit një anëtar një votë.

Zgjedhjet në grupseksione dhe në seksione mbahen jo më vonë se 15 dhe 30 Tetori. Këto struktura do të propozojnë më pas kandidatët për kryetar të degës së PD-së, kandidatët për kryetar bashkie dhe këshilltarët e ardhshëm të “Parlamenteve” lokale.

“Grupi i Punës (ose Nëngrupi i Punës), në marrjen e propozimeve nga anëtarësia për kandidatin për Kryebashkiak dhe Këshilltare Bashkiake, sigurohet në plotësimin rigoroz të kritereve të mëposhtme: Kandidatura për Kryebashkiak duhet: 1. Të jetë person me reputacion të lartë në komunitetin ku banon, të jetë përfaqësues i vlerave qytetare, të ketë dhëne prova të qenësishme të shërbimit të tij/saj ndaj komunitetit ku jeton; 2. Të njohë, të mbështetëse dhe propagandojë programin elektoral të Partisë Demokratike dhe konceptet e saj për sa i përket qeverisjes vendore; 3. Të jetë me arsim të lartë; 4. Angazhimi i tij/i saj në strukturën vendore të Partisë Demokratike si dhe kontributi i tij/i saj në shoqërinë civile janë të mirëpritura; 5. Të jetë i padënuar më parë, të mos jetë në hetim për çështje penale si dhe të mos jete subjekt i ligjit për Dekriminalizimin; 6. Të mos ketë qenë pjesë e Hetuesisë, Sigurimit te Shtetit dhe as bashkëpunëtor i tyre gjatë diktaturës komuniste”, thuhet në udhëzimin e PD-së.

Të njëjtat kritere do të zbatohen edhe për kandidatët për anëtarë të këshillit bashkiak.

“Kandidaturat për Këshilltar Bashkiake duhet: 1. Të jetë anëtar i Partisë Demokratike; 2. Të jetë profesionist i mirë, mundësisht me eksperiencë në administrimin vendor apo qendror; 3. Të jetë person me reputacion të lartë në komunitetin ku banon dhe strukturën vendore të PD ku bën jetën politike; 4. Të ketë dhëne prova të qëndrueshmërisë së lartë, profesionalizmit dhe angazhimit maksimal të tij/saj në proceset politike vendore, por edhe me gjerë; 5. Të jetë me arsim të lartë; 6. Të jetë i padënuar më parë, të mos jetë në hetim për çështje penale, si dhe të mos jetë subjekt i ligjit për Dekriminalizimin; 7. Të mos ketë qenë pjesë e Hetuesisë, Sigurimit të Shtetit dhe as bashkëpunëtor i tyre gjatë diktaturës komuniste”, thuhet në kriteret e këtij udhëzimi.

Më këtë organizim të ndërmarrë opozita ka ndezur motorët për përgatitjet për zgjedhjet pavarësisht konflikt politik dhe kushtet e vendosura për miratimin e nismës për Vetting në politikë.

Në mbledhjen e zhvilluar të mërkurën e shkuar, Partia Demokratike ka përcaktuar edhe drejtuesit e qarqeve që do të mbulojnë zgjedhjet

Edi Paloka do të kryesojë punën për zgjedhjet në qarkun e Kukësit; Flamur Noka caktohet drejtues i grupit të punës në qarkun Shkodër; Oerd Bylykbashit do të angazhohet në qarkun Durrës, ndërsa Fatbardh Kadillit në Vlorë, Arben Ibro në Lezhë dhe Edmond Spaho në Elbasan, Kreshnik Çollaku shkon me Dibër dhe Arben Ristani në Korçë.

Në Tiranë puna është më e madhe, PD-ja ka caktuar 15 deputetë për të përgatitur zgjedhjet, ku në listë bëjnë pjesë ato të Tiranës, të ndarë sipas ndarjeve administrative që dikur kanë qenë minibashkitë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë