Futboll

Kristjan Asllani, ‘viktimë’ e raportit të vështirë të Inzagit me të rinjtë

Gazeta Si – Simone Inzagi ka luajtur titullar me Piaçencën në Serinë A në moshën 22-vjeçare. Të njëjtën moshë me Raoul Belanovën dhe pak më i madh se Kristjan Asllani. Për ta tek Interi ka pak, shumë pak hapësirë nga Inzagi. Vetëm një minutë për mesfushorin e Kombëtares në shkurt me fanellën zikaltër.

Asllani u ble nga Empoli për 14 milionë euro dhe deri tani ka zbritur në fushë nga fillimi vetëm në tri raste. Edhe Galiardini, që do të largohet me parametra zero, është aktivizuar më shumë, 639 minuta ndaj 555 të lojtarit shqiptar.

Asllani me fanellën e Interit gjatë ndeshjes ndaj Parmës. Gazeta Si, 9 mars 2023

Trajneri i Interit duket se ka një raport të vështirë me të rinjtë dhe ‘viktimë’ e këtij raporti është edhe Asllani. Nga Lacio tek Interi, vetëm Kataldi ka arritur të ingranohet në ekipin e Inzagit. Jo vetëm Asllani, nuk ka shkuar më mirë për të rinjtë e tjerë, Karboni 24 minuta dhe Xanoti i futur në fushë vetëm në shtesën e Inter-Leçe.

Në një kohë kur Serie A ka më pak burime se kampionatet e tjera europiane, vlerësimi dhe rritja e të rinjve është një hap i rëndësishëm. Klubet duhet të provojnë te kjo pjesë, si për arsye teknike, ashtu edhe për anën ekonomike.

Milani i Pioli ka titullarë Tonali, Kalulu dhe Thiau. Mourinjo beson shumë te Zalevski dhe po lançon Boven, Volpaton dhe Tahiroviç. Alegri u ka dhënë hapësirë të rinjve Faxhioli dhe Mireti, apo Soulé, Iling-Junior dhe Barrenekea…

Që kur drejton Interin, Inzagi nuk ka pasur kurrë raport të mirë me të rinjtë. Vitin e kaluar i dha 8 minuta Xanotit dhe 33 Satrianos, kurse Kazadei u shit te Çelsi pa debutuar tek Interi. Edhe te Lacio ndodhte e njëjta gjë me Inzagin. Në fillim ai mori me vete disa lojtarë nga të rinjtë, të cilët i drejtonte vetë më parë, si Murxhia, Kataldi dhe Lombardi.

Nga 2019-a deri në 2021-shin vetëm 4 lojtarë nën 22 vjeç kanë luajtur me Lacion e tij për më shumë se 45 minuta: portieri Guerrieri, Adekanie që erdhi nga Liverpuli, Bruno Jordao dhe Pedro Neto. I fundit në 2019-ën shkoi te Volverhemptoni dhe tani është titullar në Premier Ligë dhe luan me Ronaldon në kombëtare, vlen më shumë se 30 milionë…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë