Futboll

Kristiano Ronaldo rikthehet në Angli, por kalimi te PSG duket shumë pranë

Gazeta Si – Dëmtimi në kofshë, që dikush mendon se ishte më shumë diplomatik, udhëtimi në Portugali dhe tani rikthimi në Mançester për stërvitje. Janë ditë të mbushura me tension te Mançester Junajtid, që lidhen me situatën e Kristiano Ronaldos, pa harruar edhe pasojat e humbjes 1-4 në derbin me Sitin.

Përpara është sfida me Totenhemin, që ka rëndësi të veçantë për kualifikimin në Ligën e Kampionëve. Për momentin Junajtid është në vend të 5-të, 1 pikë para Arsenalit, por “Topçinjtë” kanë edhe 3 ndeshje për të rikuperuar. Totenhemi është 2 pikë prapa dhe po ashtu ka 2 ndeshje më pak. Për Rangnik është një situatë shumë e komplikuar.

Kristiano Ronaldo. Gazeta Si, 8 mars 2022

Dhe zërat për CR7 nuk i bëjnë mirë ambientit. Raporti i portugezit me trajnerin nuk është aspak i mirë dhe zërat që e çojnë sulmuesin në Paris po shtohen gjithmonë e më shumë. Në Angli janë të bindur se Ronaldo synon kalimin te PSG në verë, sidomos nëse Mbape shkon në Madrid. Hipoteza tjetër është se Mesi, pas një viti pa ngjyra, vendos të shkojë në MLS dhe Ronaldo do t’i zinte vendin.

Skenarë kompleksë dhe intrigues, që Rangnik nuk ka dëshirë t’i përballojë në këtë moment. Për të rëndësi ka që skuadra të rigjejë ritmin në kampionat, pas 1 pike të marrë në 2 ndeshjet e fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë