Golat numër 800 dhe 801 si profesionist të Kristiano Ronaldos kanë kthyer te fitorja Mançester Junajtid, që mundi 3-2 Arsenalin. Një fitore shumë e rëndësishme për “Djajtë e kuq”, që tashmë do të drejtohen nga gjermani Ralf Rangnik.
Ndeshja e luajtur në “Old Trafford” nisi me një episod të çuditshëm. Gjatë një goditjeje këndi të Arsenalit, portieri David De Gea ra në tokë, pasi mori një goditje, ndërsa Emil Smith Roue e çoi topin në portën e boshatisur. Arbitri priti zhvillimin e aksionit dhe pastaj ndali gjithçka për faull ndaj portierit.

VAR-i më pas sinjalizoi se faulli ndaj De Geas ishte shkaktuar nga shoku i skuadrës, Fred, kështu që goli nuk duhej anuluar. Arsenali në avantazh dhe ndeshja ndizet, me Mançester Junajtid që reagon me fuqi dhe Bruno Fernandes barazon shifrat në fund të pjesës së parë. Në pjesën e dytë skenën e rrëmben Kristiano Ronaldo.
Goli i avantazhit 2-1 është goli numër 800 për të në karrierën si profesionist mes klubesh dhe kombëtares. Festa e të zotëve të shtëpisë zgjat pak, pasi Martin Odegard ngrin publikun me golin e barazimit. Më pas norvegjezi shkakton një penallti ndaj Fred. Edhe këtë herë është VAR-i që ndërhyn dhe Ronaldo shënon edhe golin numër 801, që është edhe goli i fitores.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




