Politike

Kristaq Kume: Propozimet e PS për zgjedhjet jothelbësore për standardet, por duhen votuar

Nga Gazeta Si - Ish-Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, prof.dr. Kristaq Kume është i bindur se propozimet e PS-së për ndryshimin e Kodit Zgjedhor nuk zgjidhin problemet kryesore të standardeve të zgjedhjeve, por janë një mundësi që, të paktën, të nisë zgjidhja e votës së emigrantëve.

Në një intervistë për Gazeta Si, zoti Kume, një ekspert me përvojë të gjatë për sistemet zgjedhore, tha hapur opinionin se mungesa e konsensusit për reformën zgjedhore mes dy partive kryesore PS-PD reflekton mungesën e vullnetit të tyre të dyanshëm. “Pavarësisht se çfarë deklarojnë, ata janë të kënaqur me këtë Kod Zgjedhor që kemi, ndaj dhe ndryshimet nuk u interesojnë”, u shpreh zoti Kume.

Problemin kyç të pazgjidhur nga propozimet e PS, Kristaq Kume e sheh tek copëzimi në 12 qarqe i hartës zgjedhore, tek pragu sërish i lartë i herësit me 7 mijë vota dhe tek pamundësia e koalicioneve parazgjedhore, që sipas tij, minimizojnë shanset për demokraci sa më përfaqësuese. “Nëse ndarja e Shqipërisë do të vazhdojë të mbetet në 12 njësi zgjedhore, efekti i votës parapëlqyese me herësin 7 mijë, do të vazhdojë të jetë i papërfillshëm. Është e qartë se partitë nuk e duan votën parapëlqyese. Propozimi nuk sjell ndryshim thelbësor. Do të vazhdojë të jetë lidershipi i partive, që përcakton se kush do të jetë deputet. Mundësitë e qytetarit që ta ndryshojë këtë, janë shumë të vogla, veçanërisht, në një ndarje zgjedhore me 12 qarqe.”- tha zoti Kume për Gazeta Si.

Drejtuesi i Institutit për Zhvillimin e Sistemeve Zgjedhore kritikoi strategjinë e PD-së për të kushtëzuar gjithçka me rikthimin e koalicioneve. Megjithatë, ish kreu I KQZ-së mendon se nuk është tradhti politike vota për propozimet e PS-së, që, në vlerësimin e tij, mbushin disa boshllëqe ligjore për votën e emigrantëve, edhe pse u japin mundësi votimi vetëm shumë pak prej tyre.

Zoti Kume, pse dështoi arritja e konsensusit në Parlament për Reformën Zgjedhore?

"Mungesa e vullnetit politik mes PS-PD është shkaku kryesor për dështimin e reformës zgjedhore. Pavarësisht se çfarë deklarojnë, ata janë të kënaqur me këtë Kod Zgjedhor që kemi, ndaj dhe ndryshimet nuk u interesojnë. Praktikat e zbatimit të këtij Kodi kanë treguar se mundësitë për të patur shmangie nga standardet për zgjedhje demokratike janë prezente. Nëse do të realizonin reformën zgjedhore, do të duhet të trajtonin mënyrën e zbatimit të sistemit proporcional rajonal.

Ka një propozim për të ndryshuar numrin e njësive zgjedhore nga 12 në 4 njësi, gjë që bie ndesh me interesat e dy partive kryesore. Fakti që PD e ka kushtëzuar angazhimin e saj në reformën zgjedhore me trajtimin e çështjes së koalicioneve parazgjedhore, për të cilën e ka marrë përgjigjen që në 2020-ën nga PS-ja, është tregues se ka qenë e vetëdijshme që këtë proces reformues ta përdorë më shumë për të përfituar në diskurin politik të ditës sesa për të realizuar ndryshime që mund t’i shërbejnë standardeve të zgjedhjeve të ardhshme. PS e kishte bërë të qartë se nuk do ta pranonte në asnjë rast këtë kërkesë". 

A ishte e drejtë kërkesa e PD për rikthimin e koalicioneve në Kod, siç ishte para ndryshimeve të njëanshne kushtetuese dhe të Kodit në 2020-ën?

"Sado e drejtë të jetë si kërkesë dhe sado argumente të jepen pro nevojës për një ndryshim të tillë, PD duhet të kërkonte dhe duhet të kërkojë zgjidhje të tjera për ndryshime në legjislacion. Aktualisht, kështu siç është, sistemi favorizon PS-në, por me qëndrimin e saj refraktar, PS e bëri të qartë se opozita do ta kishte të pamundur ta ndryshonte, prandaj duhet të mendojë për një strategji tjetër. Ekzistojnë mundësi që, nga njëra anë, ta bëjë më pak efektive këtë sistem të fiksuar nga PS në Kod për interesat e saj dhe, nga ana tjetër, të krijojë mundësi që zgjedhjet të realizojnë produkte, pra një Kuvend të ardhshëm sa më përfaqësues.

Një ndër këto mundësi ka të bëjë me ndryshimin e hartës, e ndarjes së Shqipërisë për efekte zgjedhore nga 12 njësi zgjedhore në 4 rajone zgjedhore. Po të këmbëngulte PD-ja në këtë gjë, vështirë që PS-ja nuk do ta pranonte, sepse PS është ajo që ndryshoi kushtetutën në 2020-ës, duke hequr dispozitën që detyronte Kuvendin e Shqipërisë të përcaktonte në Kod ndarjen me 12 njësi zgjedhore. Duke u zvogëluar ky numër, po ta analizosh efektin që sjell ky zvogëlim në garën zgjedhore, arrin të provohet lehtë që pamundësia për garë me koalicione parazgjedhire të ketë efekte pothuajse të pandjeshme në rezultatin përfundimtar në zgjedhjeve.

Pra, duke ndarë Shqipërinë në 4 rajone, ulet shumë efekti i pamundësisë për të bërë koalicione parazgjedhore. Ky ndryshim, i shoqëruar me hapjen 100% të listave, do ta bënte të mundshme dhe reale edhe garën e partive politike pjesëtare të një koalicioni parazgjedhor me kandidatë në listën e të përbashkët. Për ta konkretizuar këtë mundësi, nëse partia A, pjesë e koalicionit, ka një kandidat në listën shumëemërore të koalicionit, simpatizantët e saj sillen të votojnë për koalicionin, ndërsa votën parapëlqyese ia japin kandidatit. Por PS dhe PD nuk janë të interesuar për këto ndryshime, sepse u bie kontrolli i listës së deputetëve".

Si i vlerësoni propozimet e dorëzuara nga PS në lidhje me votën e emigrantëve?

"Së pari, nuk ka pse të konsiderohet si rezultat i reformës zgjedhore ajo që ka dorëzuar PS në Kuvend. Ky është një reagim i PS për të pasqyruar në Kodin Zgjedhor atë çka kërkohet nga vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese.

Janë 3 çështje që trajtohen në ato propozime: heqja e pragut kombëtar për kandidatët e pavarur, vota nga jashtë territorit të vendit dhe herësi. Për votat nga jashtë territorit të vendit, propozimi i PS nuk ndryshon në thelb nga ajo që parashikohet në kodin aktual për mënyrën sesi realizohet një votim i tillë për zgjedhësit shqiptarë që banojnë jashtë territorit. Sepse edhe në propozimin e bërë kërkohet që zgjedhësi, i cili shpreh dëshirën për të votuar nga jashtë territorit duhet ta shoqërojë dëshirën e tij me adresën e vendbanimit të përhershëm në shtetin ku banon.

Më pas, kjo kërkesë shoqërohet me dokumentacionin që parashikohet në ligjin e miratuar në vitin 2016, ku trajtohet çështje të adresarit të shtetasve emigrantë. Kjo do të thotë se nuk mund të plotësohet dëshira për të votuar nga jashtë territorit të vendit vetëm se je zgjedhës, por duhet të kesh të rregjistruar në gjendjen civile në Shqipëri adresën e vendbanimit të përhershëm në vendin ku banon jashtë. Kjo është e shkruar në Kod aktualisht, kjo kërkohet edhe në propozimin e PS-së tani.

Vetëm po të jesh i regjistruar këtu, në Adresarin e Shtetasve Emigrantë, ke të drejtë të futesh në procesin e krijimit të mundësive për të votuar. Aktualisht, në zbatim të këtij ligji, kemi diku tek 17 mijë shtetas, që e kanë rregjistruar vendbanimin e tyre, nga të cilët mund të bëhen 13 mijë zgjedhës që plotësojnë kushtet për të aplikuar për votim nga jashtë territorit të vendit. Me një fushatë intensive sqaruese, ky numër, ndoshta, mund të dy apo trefishohet, por a arrihet ajo në emër të së cilës bëhet kjo? Jo! Sepse ne kemi më shumë se 1 milion zgjedhës jashtë territorit të vendit dhe 20 apo 30 mijë nuk janë asgjë.

Megjithatë, është shumë e rëndësishme të theksohet se të arrihet të votohet nga jashtë territorit të vendit në 2025, qoftë edhe me 20-30 mijë zgjedhës, do të jetë një rezultat premtues për atë që do të ndodhë më vonë me votën e zgjedhësve që jetojnë jashtë. Vendi ynë nuk do të jetë më i vetmi i NATO-s që nuk u krijon mundësi shtetasve të votojnë pa qenë të detyruar të vijnë fizikisht në qendrën e votimit. Pas kësaj, vendi do të hyjë detyrimisht në zgjidhjen sa më të mirë të këtij problem dhe nuk do të ketë më diksutim, nëse mundet të votohet apo jo nga jashtë territorit të vendit.

Ka dhe një moment tjetër propozimi i PS-së, që është mënyra e votimit. Votimi do të kryhet me postë. Për të qenë në akord edhe me PD, zgjidhja është që agjenti postar nuk do të jetë posta shtetërore, por një postë ndërkombëtare dhe kostoja ndahet mes qytetarëve dhe shtetit. Propozimi i jep zgjidhje boshllëkut të legjislacionit të sotëm se ku do të numërohet vota nga jashtë territorit të vendit. Vota e shtetasit do të numërohet në atë njësi zgjedhore, ku ai ka patur vendbanimin e fundit, kur ka qenë në Shqipëri. Ky propozim, i krahasuar me atë qe ka deklaruar PD-ja për këtë çështje, e ka ndarjen në momentin e deklarimit të adresës jashtë vendit.

PD propozon që kjo pikë të jetë e hapur, në mënyrë që të kenë mundësi që të votojnë nga jashtë territorit çdo shtetas, pa detyrimin e deklarimit të rezidencës. Mendoj se do të gjendet dakordësia dhe ky proces do të realizohet siç është parashikuar në Kod dhe që plotësohet nga këto propozime të PS-së".

I përmbush kërkesat kushtetuese amendamenti për herësin që lejon marrjen e mandatit të një deputeti, duke qenë jashtë asaj që njihet si zona fituese e synuar nga partitë?

"Dua të kujtoj faktin se PS dhe të gjithë partitë nuk janë shprehur asnjëherë sinqerisht dakord për të hapur listat dhe për të lejuar votimin me lista të hapura. Mënyra si u shkrua në Kushtetutë kjo dispozitë dhe si u zbatua në Kod me herësin e famshëm, 10 mijë vota parapëlqyese si pragu për të marrë mandatin, tregoi se kjo çështje u përdor për të ndërhyrë në Kushtetutë për të hequr koalicionet si subjekte për të propozuar kandidatë. Kjo e drejtë iu la vetëm partive politike dhe qytetarëve.

Përmes herësit, vërtet u hapën listat, sepse qytetarët kanë mundësi të japin votë parapëlqyese për këdo nga kandidatët, por duke vënë pragun 10 mijë vota, efekti i votës parapëlqyese shkoi drejt zeros. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe tani. Vetëm se nga 10 mijë e kanë çuar në 7 mijë. Po pse 7 dhe jo 8 apo 6 mijë? Pra, e kanë çuar në atë nivel që, sipas llogaritjeve të tyre, efekti do të jetë shumë i vogël. Nëse ndarja e Shqipërisë do të vazhdojë të mbetet në 12 njësi zgjedhore, ky efekt i votës parapëlqyese me herësin 7 mijë, do të vëzhdojë të jetë i papërfillshëm.

Por kjo nuk do të thotë se nuk zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sepse kjo gjykatë nuk ka vlerësuar se herësi është antikushtetues, por vlera e herësit, pra 10 mijë vota, e bën rezultatin jopropocional. Prandaj nga 10 mijë, PS e ka zbritur në 7 mijë, për të dhënë idenë e proporcionalitetit. Në kushtet e këtij sistemi, është e qartë se partitë nuk e duan votën parapëlqyese. Propozimi nuk sjell ndryshim thelbësor. Do të vazhdojë të jetë lidershipi i partive, që përcakton se kush do të jetë deputet. Mundësitë e qytetarit që ta ndryshojë këtë, janë shumë të vogla, veçanërisht, në një ndarje zgjedhore me 12 qarqe".

Mendoni se PS do të tentojë të gjejë 84 vota në Kuvend për miratimin e amendamenteve jokonsensuale me opozitën?

"Mendoj se PS do t’i kërkojë dhe do t’i gjejë 84 vota. Nuk ka pse anëtarët e parlamentit t’i kundërshtojnë këto propozime. Pra, mund të bëhen bashkë dhe nuk është se, politikisht, ai që jep votën pro, i bie ndesh krahut të vet politik. Këto ndryshime janë të detyrueshme të behen në Kodin Zgjedhor, përsa kohë janë të detyrueshme nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Që do të thotë se, nëse nuk bëhen, produkti që del nga zgjedhjet e 2025-s mund të jetë i ekspozuar për t’u goditur si antikushtetues. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për herësin e detyron Kuvendin e Shqipërisë të bëjë ndryshime. Ndërsa ai për emigrantët është një vendim që nuk e detyron, në kuptimin e pasojave për goditjen e rezultatit si antikushtetues".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë