Është thuajse mesnatë. Nata është e ftohtë dhe e mbuluar nga një mjegull e lehtë. Në hyrjen e katedrales së Shën Palit në Tiranë, ndriçojnë dritat e festës. Pema e madhe e krishtlindjes e vendosur në sheshin mbi shkallë dhe grazhdi ku lindi Jezusi i punuar në miniaturë ngjallin ndjesitë e para të festës. Kisha është e madhe por nuk ka vend për të gjithë. Shumë prej tyre qëndrojnë jashtë dhe e ndjekin meshën nga ekrani i madh i instaluar në anën e djathtë të portës .
Të moshuar me rruzare në duar luten pa zë. Ka të rinj që ndjekin në heshtje veprimet e më të rriturve dhe i imitojnë në përpikmëri. Dëgjohen dhe zëra bebesh në sallë. Besimi i bashkon njerëzit. Dom Arjan Dodaj , Arqipeshkvi i dioqezës nis meshën dhe prej atij çasti, gjithçka bie në heshtje. Pritet ardhja e Jezusit.
Shpëtimtari lind në grazhd.
Gjurmët e para të Krishtlindjes së krishterë gjenden kur Perandori Konstantin u konvertua në kristianizëm dhe nga viti 330 e tutje u festua lindja e Jezusit. Papa Gjoni I e përcaktoi festën më 352.
Por 2024 vite më parë, një ligj i sundimtarëve romak urdhëronte regjistrimin e popullsisë për secilin në qytetin e tij. Jozefi dhe Maria jetonin në Nazaret dhe u duhej të udhëtonin 105 km për në Betlehem që të regjistroheshin . Fëmija i Marias do të lindtte së shpejti. Kur Jozefi dhe Maria arritën në Betlehem, të gjitha dhomat ishin mbushur me njerëz. Ata u detyruan të qëndronin në stallë ku mbaheshin kafshët. Dhe kështu në një grazhd të varfër, diku mes kashtës dhe kafshëve lindi foshnja të cilën Jozefi do ta quante Jezus. Kështu lindi mesia.
Po në Betlehem atë natë, engjëlli Gabriel u shfaq diku mes kodrinave dhe lajmëroi barinjtë për lindjen e mesias. Prej asaj ditë e deri më sot festohet lindja e shpëtimtarit të botës, Jezusit. Lindja e tij në një stallë simbolizon vuajtjen dhe përluësinë si të vetmet rrugë drejt shpëtimit. Kështu nis dhe Dhiata e re, ajo që përshkruan në katër ungjij, jetën e Jezusit deri në kryqëzimin e tij. Prej lindjes së Jezusit, grazhdi është shndërruar në simbolikën e festës, për ti kujtuar njerëzimit se prej nga erdhi shpëtimtari i ynë
Biri i Zotit
Edhe pse termi “Biri” mund të ngjallë idenë se në fillim ishte vetëm Zoti Atë, dhe vetëm më vonë lindi Zoti Biri, Bibla e bën të qartë se Biri është i përjetshëm. Ai ishte atje para themelimit të tokës. “Ai është imazhi i Zotit të padukshëm, i parëlinduri i të gjithë krijimit. Sepse prej Tij të gjitha gjërat u krijuan, në qiell dhe në tokë, të dukshme dhe të padukshme, qofshin frone apo sundime, sundimtarë apo autoritete, të gjitha gjërat u krijuan nëpërmjet Tij dhe për Të. Dhe Ai është para të gjitha gjërave, dhe të gjitha gjërat qëndrojnë në Të ”(Kolosianëve 1: 15-17).
Jo vetëm që Perëndia Biri ishte atje nga përjetësia, por Ai gjithashtu do të mbetet përgjithmonë: “Unë jam i Pari dhe i Fundit … Unë jam gjallë në shekuj të shekujve!” (Zbulesa 1: 17-18)
Kjo ishte një nga doktrinat e para që u formulua me përpikëri nga kisha e hershme, sepse është kaq jetësore për një kuptim të qartë të Jezusit: “Ne besojmë në një Zot, Jezus Krishtin, birin e vetëm të Perëndisë, të lindur përjetësisht nga Ati, Perëndia nga Zoti, Drita nga Drita, Zoti i vërtetë nga Zoti i vërtetë; i lindur, jo i bërë, nga një Qënie me Atin; nëpërmjet tij, të gjitha gjërat u bënë ”(Nikeno-Constantinopolitan Creed, 381 pas Krishtit).
Krishtlindja dhe komercializmi.
Është e pamundur tashmë të mendohen Krishtlindjet pa bredhin e madh të zbukuruar me drita. Pa babagjyshin me slitë dhe dhuratat e shumta në mëngjesin e Krishtlindjeve. Pa ceremonitë e shumta dhe festimet në sheshe në të gjithë botën duke e tejkaluar kështu shpesh dhe kuptimin e Krishtlindjes. Këto elementë i gjen dhe në kishë, në hyrje , mbi altar e kudo, si për ta familjarizuar festën dhe me epokën bashkëkohore. Por nëse babagjyshi që fluturon me slitë nga arktiku në çdo cep të botës për të shpërndarë dhurata është vetëm imagjinatë, lindja e Krishtit është ngjarje reale, dhe kjo nuk duhet harruar. Ai erdhi për ne , për të shpëtuar botën nga mëkatet.
Krishti erdh’
Është ora 12 e mesnatës. Meshtari lajmëron se krishti u lind. Duke mbajtur në duar Jezusin bebe ai njofton ardhjen e tij. 6000 vite u deshën që nga zanafilla e deri të ardhja e parë. Por tashmë ai erdhi dhe në zemrat e besimtarëve ka festë dhe gëzim. Ata urojnë njëri tjetrin duke zgjatur duart e duke shpresuar për paqe dhe lumturi në botë. Në mbyllje të meshës e cila ka zgjatur deri në orët e para të mëngjesit , besimtarët dalin nga kisha me ndjesinë e shpresës në zemër, se e mira ekziston dhe se Jezusi e sublimon këtë fakt. Një natë e gjatë në kishë, po aq e gjatë sa nata e lindjes së tij. Por tashmë pritja ka mbaruar dhe Jezusi është mes nesh. Dhe se pas një nate të gjatë së bashku me Jezusin lind dhe shpresa.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.