Treg

Kriptot nuk mund të bëhen lehtë të gjelbërta

A munden kriptomonedhat të bëhen ndonjëherë të gjelbërta? Deri vonë, kjo ishte një pyetje që shqetësonte më së shumti idealistët. Fëmijët e kriptove që hynë në Bitcoin një dekadë më parë ishin aq të përqendruar në nxitjen e një revolte financiare kundër estabilishmentit, saqë zakonisht nuk shqetësoheshin shumë për emetimet e karbonit.

Lloji i investitorëve të zakonshëm që shqetësohen për çështjet mjedisore, sociale dhe të qeverisjes sot i shmangin asetet digjitale për shkak të llojeve të tjera të pisllëkut; siç tregon një raport nga ChainAnalysis, mashtrimi dhe vjedhja kibernetike vazhdojnë të dëmtojnë ekosistemin.

Por jo për shumë kohë. Goldman Sachs tregoi në një shënim kërkimor, investitorët e zakonshëm po përfshijnë gjithnjë e më shumë kripto-n në portofol si një mbrojtje për inflacionin, krahas arit.

Në të vërtetë, Zach Pandl, bashkëdrejtuesi i Goldman për strategjinë globale të FX, normave dhe EM, llogarit se Bitcoin tashmë përbën 20% të sferës së investimeve. Ai parashikon që nëse ky raport do të rritet në 50%, çmimi i Bitcoin do të dyfishohet nga niveli aktual në 100.000 dollarë.

Megjithatë, siç vëren edhe Pandl, ekziston një “pengesë e madhe”: papastërtia fizike. Më konkretisht, procesi i prodhimit të Bitcoin-it (dmth procesi në regjistrin kompjuterik për të krijuar një aktiv digjital) kërkon sasi të jashtëzakonshme të energjisë elektrike. Në të vërtetë, nxjerrja e Bitcoin tani duket se konsumon më shumë energji elektrike në vit sesa Finlanda apo Belgjika, sipas indeksit të Konsumit të Energjisë Elektrike të Cambridge Bitcoin. Kosova sapo e ka ndaluar pikërisht për këtë arsye.

Më keqja është se shumica e minierave kanë qenë historikisht në Kinë, e cila është shumë e varur nga qymyri. Prandaj pyetja e ndërlikuar për investitorët e zakonshëm që shqetësohen për inflacionin në vitin 2022: a mund të merresh me kripto pa i ndyrë duart në botën reale?

Përgjigja e shkurtër është “po, por jo lehtë”. Së pari, lajmi i mirë është se në vitin 2021, kjo qoshe dikur anarkike e financave filloi të organizohej për t’u bërë e gjelbërt, green. Së fundmi, 200 entitete të kriptove u takuan në Institutin Rocky Mountain në Kolorado, për një marrëveshje kripto-klimatike, CCA.

Nënshkruesit e marrëveshjes kanë rënë dakord me sa duket të ulin emetimet e karbonit nga përdorimi i energjisë elektrike në zero deri në vitin 2030, pjesërisht përmes kompensimeve të karbonit, por gjithashtu duke kaluar të gjithë teknologjinë blockchain në burimet e rinovueshme të energjisë deri në vitin 2025 dhe duke përdorur mjete të gjurmimit të energjisë si të ashtuquajturat “thurje të gjelbërta”.

Muajin e kaluar, CCA ndërmori një hap që do të kishte qenë i paimagjinueshëm pesë vjet më parë. Ai krijoi një dokument prej 32 faqesh se si të kryhet lloji i auditimeve mjedisore të kriptove që mund të bëhen dhe një fond tradicional pensioni.

Ndërkohë, zotimet e devotshme të CCA-së po i japin dy tendenca të tjera të industrisë. Së pari, vendimi i Pekinit për të shtrënguar industrinë vitin e kaluar ka detyruar shumë minatorë të largohen nga Kina. Kjo po e bën kriptomonedhën më pak të varur nga energjia elektrike dhe qymyri, pasi shumë nga minierat e reja po zgjedhin burimet e rinovueshme të energjisë.

Së dyti, prodhuesit po zgjedhin një mënyrë më eficente të energjisë që shkon përtej qëllimit për të qenë të gjelbër. Blockchain-i në të cilën punon Bitcoin është shumë kompleks dhe i rëndë për të kryer transaksione. Ndërsa kriptot e reja po përshtasin regjistra të rinj transaksionesh më të thjeshta dhe të kontrollueshme.  

Sipas ekspertëve kjo mund të jetë një mënyrë më pak e sigurtë, por përdor më pak energji. Nëse  të gjitha kriptot përshtasin këtë lloj punë ata të së bashku do të ulin sasinë e karbonit.

Megjithatë, siç thotë Goldman, pengesat mbeten aty. Një problem i madh është se Bitcoin mbetet i lidhur me regjistrin kompleks që quhet POW, dhe ajo ka më shumë se gjysmën e kriptove në qarkullim dhe pjesën dërrmuese të konsumit të energjisë elektrike.

Një problem i dytë është se industria është aq e turbullt saqë mbetet për t’u parë se sa transparencë mund të krijojë vërtetë CCA, veçanërisht midis atyre që janë të jashtëm. Ose, siç vëren Sustainable Funds Monitor: “Në fund, mungesa e transparencës dhe e të dhënave e bën jashtëzakonisht të vështirë të tregosh se një monedhë e vetme është “më e gjelbër” se të tjerat.”

Sigurisht, një cinik (ose një mbështetës i kriptos) mund të thotë se ky problem nuk është i ndryshëm nga ai i klasave të tjera të aseteve; ari, le të themi, ka gjithashtu një gjurmë karboni të pistë. Ky është argument i drejtë. Por ndoshta mesazhi kryesor për investitorët është ky: po, mund të ketë kuptim përfshirja e kriptos si një mbrojtje e inflacionit, por, jo, nuk ofron një drekë falas. Ari digjital mund të jetë në qarkullim, por ende nuk është pastruar nga të gjitha papastërtitë.

Burimi: Financial Times/ Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë