Kriptomonedha e re e Donald Trump ka suprizuar tregjet, duke arritur në një vlerë tregu 12 mld dollarë vetëm gjatë 24 orëve të fundit. Bitcoin po ashtu po përjeton rritje në bursa, vetëm pak orë para se Trump të zyrtarizojë rikthimin në Shtëpinë e Bardhë.
Kriptomonedha “meme” e Trump u lançua të premten, njohur dhe si $TRUMP, po shitet rreth 60 dollarë, duke u rënditur në vendin e 18 si kriptomonedha më e madhe në botë. Në 24-orë, volumi i tregtuar i kësaj kriptomonedhe arriti në 52.2 mld dollarë.
Trump ka vendosur një foto nga atentati i tij në kriptomonedhën e re, duke çuar më tej interesin e tij për kriptomonedhat. 80% e monedhave Trump posedohet nga bizneset e lidhura me organizatën Trump.
Të dielën, Melania Trump lançoi kriptomonedhën e saj, që po tregtohet me 12.03 dollarë me një vlerë tregu prej 1.9 mld dollarësh.
Bitcoin arriti në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave prej 109.071.86 dollarësh në fillimin e tregtimit europian. Kriptomonedha më e madhe në botë është rritur me më shumë se 10% deri më tani këtë muaj.
“KUTIA E PANDORËS”
Edhe pjesëmarrësit e komunitetit të kriptomonedhave u befasuan nga lançimi i monedhës “meme” të Trump.
“Ndërsa është joshëse për ta hedhur poshtë këtë si një tjetër spektakël të Trumpit, lançimi i tokenit zyrtar të Trump hap një kuti Pandora të pyetjeve etike dhe rregullatore,” tha Justin D’Anethan, një analist i pavarur i kriptove me bazë në Hong Kong.
Ndërsa monedha përfaqësonte një përzierje të botës së financave të decentralizuara (DeFi) në arenën politike, ai tha gjithashtu “i mjegullon linjat midis qeverisjes, fitimit dhe ndikimit”, tha D’Anethan.
“A duhet që figurat publike, veçanërisht ata me një ndikim të tillë politik, të kenë këtë lloj ndikimi në tregjet spekulative? Kjo është një pyetje që rregullatorët nuk ka gjasa ta injorojnë,” tha ai.
Peter Schiff, kryeekonomist dhe strateg global në Euro Pacific Asset Management, vuri në dukje rritjen e vlerës së $TRUMP dhe e quajti atë ari i ri digjital, në platformën X.
Trump ka premtuar të jetë një “president kriptomonedhash” dhe pritet të nxjerrë urdhra ekzekutivë që synojnë reduktimin e pengesave rregullatore të kriptove dhe promovimin e gjerë të aseteve digjitale.
Ai do të marrë presidencën në mesditën e të hënës./REUTERS
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.