Nga Gazeta Si- Një ditë pas ngjarjes së bërë publikë të vrasjes dhe më pas hedhjes në pus të 62 vjeçarit Enver Balla nga i biri, detaje të tjera janë zbuluar nga policia.
E gjitha ka nisur pas një sherri për një shume parash prej 7.5 mln që kishin mbledhur bashkë si familje babë e bir.
Esmerald Balla, 30 vjeç, banues në fshatin Shënavlash ka kallëzuar në Komisariatin e Policisë Durrës se prej mëngjesit të datës 13.08.2024, babai i tij ishte larguar nga banesa me një shtetase të panjohur për të dhe pas këtij momenti ai kishte shkëputur kontaktet me babanë dhe nuk kishte mundur të lidhej më me të.
Gjithashtu, djali ka deklaruar se dyshonte se kjo shtetase mund ta kishte vrarë babanë e tij dhe se 62-vjeçari nuk kishte arsye që të largohej nga banesa.
Djali tjetër i Enver Ballës, shtetasi A. B., pasi është njoftuar se babai ishte larguar nga banesa, është kthyer nga Italia dhe ka kallëzuar në Polici, se në rrjetin social Instagram, i ka shkuar një mesazh, nga një shtetase e panjohur prej tij. Në mesazh thuhej që familjarët të mos e kërkonin 62-vjeçarin, pasi ai ishte larguar me pushime.
Strukturat hetimore të DVP Durrës, duke qenë para këtyre fakteve, kanë intensifikuar hetimet dhe kërkimet, pasi lindën dyshime se kishim të bënim me një krim brenda familjes.
LEXO EDHE:
–Djali vret babain në Shënavlash, trupi gjendet pas 20 ditësh në një pus! E denoncoi në polici sikur kishte humbur: E vrava se më mori lekët (foto, video)
–‘Ka ikur me një grua me pushime’/ Policia zbardh dinamikën: Si 30-vjeçari vrau të atin për 7.5 milionë lekë
–Vrasja e Enver Ballës në Shënavlash / Arrestohet edhe një 25-vjeçar, ndihmoi djalin të transportonte trupin e viktimës
I riu u mbajt për disa kohë në përgjim, pa u akuzuar por ka qenë i kujdesshëm në komunikim. Ai kishte fshirë të gjitha bisedat që mund ta përfshinin por me zbërthimin e telefonit, policia ka arritur të zbulojë se adresa e Instagramit që i kishte shkruar djalit tjetër ishte hapur në telefonin e 30-vjeçarit. Gjithashtu, një tjetër pistë që ka çuar në pretendimin se është krim në familje është edhe kasaforta e cila është gjetur e hapur me sende të forta, ku dhe mungonin paratë.
Deklarata e autorit pas arrestimit: Më drejtoi armën për të më vrarë
Sipas dëshmisë së dhënë në polici pas arrestimit, autori ka pranuar se e ka kryer ai vrasjen. 30-vjeçari ka treguar se me 13 gusht, si çdo ditë, me te atin shkoi për t’u kujdesur për kafshët dhe aty ka nisur konflikti fillimisht për kujdesin e kafshëve, e më pas biseda ka vijuar për paratë.
Kjo ka ndodhur pasi Esmerald Balla po ndërtonte një shtëpi tëre dhe duhet t’i jepte ndërtuesit 30 mijë euro, por paratë mungonin.
Sipas tij, kur ka shkuar në dhomë ka parë që kasaforta ishte hapur me sende të forta dhe se mungonin 75 mijë eurot.
Më pas ka folur me babain e tij, duke e akuzuar se ai i ka marrë paratë dhe i ka harxhuar.
Sipas tij, viktima i ka drejtuar armën, duke e kërcënuar se do e vrasë.
Më tej, djali ka deklaruar i ka marrë armën në përpjekje për t’ia larguar, por gjatë përleshjes arma është shkrehur dhe babai ka mbetur i vrarë. Ai është shfaqur i penduar para hetuesve duke thënë se nuk donte ta vriste.
Pas ngjarjes, Esmerald Balla thotë se ka kaluar në gjendje paniku dhe ankthi dhe kjo e ka shtyrë që të mendojë planin për të humbur gjurmët e babit të tij duke e hedhur fillimisht trupin në pus në një arë të këtij fshati, rreth 1 kilometër larg nga vendi i ngjarjes dhe më pas duke e denoncuar të humbur ndërkohë që armën e krimit e ka hedhur në një kanal.
“Kur u shkreh arma dhe pasi pashë që babai ishte qëlluar, m’u shemb bota pasi nuk doja që të ndodhte kështu. Më kapi paniku. Nuk dija çfarë të beja. Kisha frikë të denoncoja krimin në polici edhe pse ishte aksident. E mora trupin në makinë dhe kemi një pus diku 1 mijë metra larg shtëpisë. E hodha aty Që ta fshihja. Telefonin ja fika i hoqa kartën dhe e hodha edhe telin ne pus. Mirëpo nuk ndihesha mire. Me kapi ankthi dhe u bëra keq. Me vjen shume keq, nuk doja të shkonte kështu”, ka thënë mes të tjerash EsmErald Balla.
Ai ka ndërtuar edhe planin se si të shpëtonte. Në Instagram ka hapur një adresë të një gruaje të panjohur dhe i ka shkruar vëllai të tij i cili jeton në Itali, duke i thënë se babai i tij ka shkuar me pushime me të dhe nuk kanë pse e kërkojnë më.
Enver Balla përcillet sot për në banesën e fundit, familja hap dyert e mortit
62-vjeçari Enver Balla, që u ekzekutua nga djali i tij, Esmerald Balla, do të përcillet këtë të enjte në banesën e fundit.
Varrimi do të bëhet pasdite në varrezat e Shënavlashit. Familja Balla ka hapur dyert e mortit, ndërsa vazhdojnë hetimet intensive për t’i dhënë përgjigje shumë pyetjeve në lidhje me krimin makabër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




