Politike

Krimi dhe të zgjedhurit, një histori “rozë” 2013-2019

Më 22 tetor të 2018, Gazeta “Si” i propozonte lexuesit të saj shkrimin me titull “Krimi dhe të Zgjedhurit, një histori ‘rozë’ 2013-2017”. Shkrimi mori shkas nga operacioni “Vol-vo 4” i Policisë së Shtetit, që çoi në pranga dhjetra persona mes të cilëve edhe ish-deputetë e ish-zyrtarë të tjerë të dalë nga Partia Socialiste.

Harku kohor kufizohej me vitin 2017, kur ishin zhvilluar zgjedhjet e fundit. Në pritje të zgjedhjeve vendore të 2019, pakkujt i shkonte në mendje në atë kohë se edhe në 30 qershor do të përsëritej e njëjta problematikë. Por, ja që ndodhi dhe listës së gjatë të zyrtarëve të akuzuar, gjykuar, dënuar, apo shpallur të pafajshëm për vepra penale nga më të lehtat tek më të rëndat, i shtohen tashmë edhe Pjerin Ndreu i Shkodrës dhe Agim Kajmaku i Vorës.


Lista me emrat mes radhëve të deputetëve dhe kryebashkiakëve të Partisë Socialiste të akuzuar nga opozita si të lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë, ose të tërthortë me krimin, elementë kriminalë dhe korrupsion është e gjatë. Diku koha i ka dhënë të drejtë opozitës dhe diku tjetër akuzat e hetimet vazhdojnë.

Që prej 2013, kur PS erdhi në pushtet në koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim, janë një sërë figurash të rëndësishme në nivel qendror e vendor të Partisë Socialiste, që ose janë dënuar, ose janë nën hetim, ose vazhdojnë të lakohen nga opozita për korrupsion dhe lidhje me krimin.

Rasti i parë i bujshëm ishte Shpëtim Gjika. Deri para zgjedhjeve të 2013, ish-kryebashkiaku i Vlorës perceptohej si një prej njerëzve më të afërt të Edi Ramës. Por me ardhjen në pushtet, marrëdhëniet mes tij dhe kreut të PS-së ndryshuan 180 gradë. Shpëtim Gjika jo vetëm që nuk rikandidoi, por në nëntor të atij viti, kur Rama kishte tre muaj që kishte marrë detyrën e Kryeministrit, u zhvillua seanca e parë gjyqësore ndaj tij.

Ish-kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika gjatë një seance gjyqësore. Gazeta Si, 1 nëntor 2019

Akuzat që rëndonin lidheshin mbi lejet e ndërtimit të dhëna në Vlorë. Gjika akuzohej për ndërtim pa leje, falsifikim dokumentash dhe abuzim me detyrën. Ai u arrestua më 6 shkurt të 2015, por u la i lirë pak ditë më vonë për arsye shëndetësore.

Por, hetimet vazhduan dhe procesi gjyqësor i nisur i dogji mundësitë për një rikandidim në krye të Bashkisë së Vlorës në zgjedhjet për pushtetin vendor në 2015 dhe nën siglën e PS-së u vendos Dritan Leli. Leli fitoi përballë kandidatit të Partisë Demokratike dhe në kohën që ai mori detyrën, Shpëtim Gjika vazhdonte tashmë me kohë të plotë betejën për pafajësi në gjykatë.

U desh korriku i vitit 2017 që Gjykata e Shkallës së Parë të Vlorës të dalë me një vendim për këtë çështje. Gjykata rrëzoi dy akuza, por e gjeti fajtor për falsifikimin e dokumenteve zyrtare dhe për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Për këtë, gjykata i caktoi 4 vite burg, por që e konvertoi në shërbim prove.

Dënimi i Gjikës u anashkalua nga të dyja kahet e politikës, që ishin mbërthyer në një betejë të ashpër e të ndezur nga zgjedhjet, ligji i dekriminalizimit, akuzat për trafik droge e reforma zgjedhore. Dekriminalizimi u miratua në shtator të 2015 dhe nisi menjëherë të japë efektet e para në Kuvend. Partia Demokratike fliste për një listë me 19 emra brenda deputetëve socialistë që prekeshin nga ky ligj dhe fliste me emra për disa kryebashkiakë, përfshirë atë të Kavajës, Elvis Rroshi.

Kryeministri Edi Rama dhe ish-kreu i Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi. Gazeta Si, 1 nëntor 2019

Rroshi akuzohej se në formularin e vetëdeklarimit nuk kishte deklaruar një dënim për përdhunim në grup në vitin 1995 në Itali dhe përdorimin e disa emrave në Zvicër. Në atë kohë, Kryebashkiaku i Kavajës i hidhte poshtë akuzat e opozitës, i cilësonte sulme politike dhe nuk pranoi të largohej.

Por, në dhjetor të 2016 edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, organi i ngarkuar me detyrën e verifikimit të të zgjedhurve qendrorë dhe vendorë për përpuethshmërinë me ligjin e dekriminalizimit ja hoqi mandatin.

Rroshi e vijoi betejën në Gjykatën Kushtetuese, ku kërkoi shfuqizimin e të gjithë ligjit të dekriminalizimit. Kushtetuesja e hodhi poshtë kërkesën dhe në mars të 2017, shkarkimi i tij vuloset plotësisht dhe në zgjedhjet e 25 qershorit, Kavaja votoi edhe për kryebashkiakun e ri.

Paralel me sagën e Ervis Rroshit në dyert e gjykatave bridhte një tjetër ish-kryebashkiak socialist. Bëhet fjalë për Shukri Xhelilin, i zënë mat nga kamerat e fshehta duke kërkuar favore seksuale ndaj një vajze të re për një vend pune në Bashkinë e Dibrës.

Ish-kryebashkiaku i Dibrës, Shukri Xhelili. Gazeta Si, 1 nëntor 2019

Në procesin me gjykim të shkurtuar, Xhelili u dënua nga Gjykata për Krimet e Rënda me 2.8 vite burg, ndërkohë që në Dibër, gjykata e këtij rrethi e dënonte me 200 mijë lek gjobë për fshehje pasurie.

PD lakonte në ato ditë edhe emra të tjerë kryebashkiakësh e ish-kryebashkiakësh, por për vepra penale sipas saj, shumë herë më të rënda se ajo e Shukri Xhelilit. Në qendër të akuzave të demokratëve ishin e vazhdojnë të mbeten kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushi, Qazim Sejdini i Elbasanit dhe Vangjush Dako i Durrësit. Këtë të fundit, Lulzim Basha cilësoi si “peshkun e madh të bandës së Avdylajve, të goditurnga Policia e Shtetit në aksionin "Vol-vo 4".

Por, rastet më të bujshme do të mbërrinin nga Parlamenti. Armando Prenga u arrestua në shtator të 2015-s si i përfshirë në një zënkë masive në ambientet e Komisariatit të Laçit, ku u plagosën 6 persona. Më vonë u mësua se sherri kishte nisur për pronësinë e Luginës së Patokut.

Po këtë muaj hyri në fuqi ligji i dekriminalizimit. Armando Prenga nuk ishte emri i parë për të cilin Prokuroria kërkoi heqjen e mandatit nga KQZ. KQZ e refuzoi kërkesën e parë duke kërkuar informacione shtesë. Sipas organit të akuzës, Prenga rezultonte i dënuar në Itali dhe në Shqipëri. Deputeti nuk e priti vendimin e KQZ-së, por dha dorëheqjen më 27 shkurt të 2017 nga detyra e deputetit.

Në kohën që Armando Prengës iu hoq imuniteti për sherrin në Komisariat, Partia Demokratike publikonte disa dokumente që dëshmonin dënimin e një tjetër deputeti socialist. Bëhej fjalë për Arben Ndokën dhe akuzat ishin më të rënda. Ai rezultonte i dënuar në Itali në vitin 2003 për trafikimin e një vajze, që ishte e fejuara e vëllait të tij.

Ashtu siç do të bënte Prenga dy vite më vonë, edhe Arben Ndoka dha dorëheqjen përmes një letre publike. Në letër pretendonte se ishte dënuar gabimisht dhe largimin e interpretonte si vendim për të lehtësuar partinë e tij nga barra e të pasurit në radhët e veta një të dënuar.

Ai u largua nga Kuvendi, por jo nga radhët e Partisë Socialiste dhe në Lezhë shfaqej edhe në krah të Kryeministrit Edi Rama si koordinator i socialistëve. Tashmë, Ndoka rikthehet në qendër të vëmendjes në tetor 2018. Këtë herë ai është prangosur nga Policia e Shtetit për akuzën e tjetërsimit të pronave përmes falsifikimit të dokumenteve në vendin e njohur si Rana e Hedhun në bregdetin lezhjan.

Forcat RENEA arrestojne ish-deputetin e PS-se, Arben Ndoka. Gazeta Si, 1 nëntor 2019

Një tjetër ish-deputet socialist i prangosur fundjavën që sapo lamë pas ishte Arben Çuko. Ndryshe nga të parët, për Çukon Partia Demokratike nuk ka bërë ndonjë akuzë publike të fortë. Por, emri i tij dyshohet se ka dalë nga përgjimet e grupit kriminal Avdylaj në Shijak dhe tashmë akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre gjatë periudhës që drejtonte Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Sipas akuzës, në më shumë se një rast dhe përmes pagesave nga 1500-3000 euro Arben Çuko favorizonte të dënuar dhe emra të njohur të botës së krimit, që ndodheshin në qeli.

Dekriminalizimi preku figura qendrore dhe vendore nga të gjitha partitë politike, si Shkëlqim Selamin e LSI-së dhe Dashamir Tahirin e PDIU-së, apo edhe Agron Kapllanaj, ish-kryetar i Bashkisë së Mallakastrës i zgjedhur nga PD.

Ligji provoi se kur vjen puna tek lidhjet me krimin, asnjë forcë politike nuk ka imunitet në vendin tonë. Por, elementët brenda socialistëve nga 2013 deri në 2019, rastet kanë provuar se janë më të ‘spikaturit’.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë