Gazeta Si – Me urdhër të SPAK, një operacion i BKH dhe policisë, e mbështetur nga forcat operacionale, po zhvillohet aksion në Shkodër, Vaun e Dejës dhe Malësi të Madhe, në kuadër të hetimeve për krime zgjedhore.
Sipas burimeve paraprake, disa persona janë shoqëruar nga forcat e BKH-së, të dyshuar për përfshirje në veprimtari të paligjshme gjatë procesit zgjedhor. Të shoqëruarit, gjithnjë sipas burimeve, raportohet se janë mbështetës të Partisë Socialdemokrate (PSD).
Në kuadër të këtij operacioni, me urdhër të SPAK, është sekuestruar edhe celulari i një personi që shërben si shoqërues i kreut të PSD-së, Tom Doshi.
Aksioni ka përfshirë edhe kontrolle të detajuara personale dhe të automjeteve, të kryera në bazë të një vendimi të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Ky është operacioni i dytë pas atij 8 majit, ku u kryen kontrolle dhe veprime hetimore në disa zona në Shkodër për parandalimin e krimeve zgjedhore.
Gjatë operacionit, i pranishëm ishte edhe kreu i SPAK, Altin Dumani, i cili kryeson ‘Task Forcën’ e ngritur për krimet zgjedhore.
Ndërkohë, hetime të tjera janë zhvilluar paralelisht edhe në qytetin e Fierit, në bashkëpunim me policinë vendore, në kuadër të një procedimi penal të ndarë, gjithashtu të lidhur me veprimtari të dyshuar kriminale gjatë procesit zgjedhor. Hetimet janë në vazhdim dhe priten zhvillime të mëtejshme në orët dhe ditët e ardhshme.
Deri më tani, SPAK ka nisur hetimet për 39 çështje që lidhen me krimet zgjedhore, ndërsa në prokuroritë e vendit janë regjistruar 87 kallëzime.
Deri më tani janë arrestuar në flagrancë 7 persona për veprat penale në fushën e zgjedhjeve, 4 në Prokurorinë Tiranë, 1 në Prokurorinë e Elbasanit, 1 në Prokurorinë e Lezhës dhe 1 në Prokurorinë e Fierit.
Këtë të mërkurë, GjKKO caktoi “arrest në burg” për Pandeli Bozha, babain e kandidates së PSD, Limonera Bozha, pasi dyshohet nga SPAK se ka blerë vota për të bijën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.