Nga Gazeta ‘Si’- Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Ferizaj ku nga disa të shtëna me armë zjarri ka mbetur e vdekur një vajzë 21 vjeçare dhe është plagosur i vëllai i saj, 15 vjeçar.
Ngjarja ndodhi në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj.
Fillimisht i dyshuari pasi ka shtënë me armë zjarri është larguar në drejtim të panjohur. Më pas ekipe të policisë menjëherë kanë rrethuar zonën dhe në orën 15:15 kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin e kësaj ngjarje.
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka thënë se ish-bashkëshorti V.A, 36-vjeçar, është i dyshuari kryesor. Kryeprokurori në Ferizaj, Shukri Jashari, tha se shkak dyshohet një mosmarrëveshje.
“Për momentin nuk kemi informacione, mirëpo dyshojmë që motivi është te një mosmarrëveshje mes ish-bashkëshortëve. Ata janë takuar afër Qendrës për Punë Sociale dhe aty ka ndodhur rasti. Personi (ish-bashkëshorti) është arrestuar”, deklaroi ai.
Hetuesit janë në vendin e ngjarjes duke ekzaminuar ndërsa për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit.
Burimet nga Emergjenca kanë bërë më dije se viktima është Erona Cokli, 21-vjeçare.
Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se pavarësisht angazhimit të institucioneve, “gratë ende nuk janë të sigurta”.
“Raste si këto na obligojnë që të vazhdojmë punën dhe angazhimin në adresimin e fenomeneve si dhuna me bazë gjinore dhe femicidi. Të gjitha institucionet përgjegjëse duhet të jenë të pakompromis në adresimin e këtyre rasteve”, shkroi Haxhiu në llogarinë e saj në rrjetin social Facebook.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




