Futboll

Krijohet Liga Profesioniste, Edvin Libohova zgjidhet president

Edvin Libohova, zëvendëspresident i FSHF-së, është tashmë edhe presidenti i Ligës Profesioniste, që ka zhvilluar sot mbledhjen e saj të parë. Krijimi i Ligës është konsideruar i domosdoshëm për zhvillimin e futbollit tonë. Në këtë mbledhje ishin të pranishëm drejtuesit më të lartë të klubeve të Superiores, të cilët kanë propozuar dhe më pas zgjedhur Libohovën në postin e presidentit. Kjo lëvizje është bërë për të shmangur zgjedhjen e një presidenti nga përfaqësuesit e klubeve për të mos pasur keqkuptime në raport me klubet e tjera.   

Ende nuk është e qartë se çfarë kompetencash do të ketë Liga, që pritet të funksionojë si një shoqatë, por fakti që ka si drejtues kryesor zëvendëspresidentin e FSHF-së, ngre disa pikëpyetje. Koha do të tregojë, nëse do te jetë vërtet një Ligë Profesioniste, apo një shoqatë sa për sy e faqe. Prej kohësh kemi diskutuar me ekipet e Superligës për Ligën Profesioniste dhe qëllimi është të gjejmë rregulla dhe forma organizimi për të ndihmuar garën dhe për të rritur të ardhurat financiare të klubeve. Pa financa të fuqishme, futbolli nuk mund të ecë para. Shumë shpejt do të rregullojmë marrëdhënien me FSHF-në për kuadrin rregullativ, sepse Liga do të jetë anëtare e saj. Tani fillon puna reale. Një pjesë e klubeve kanë probleme dhe do të jetë një nga prioritetet e Ligës sistemimi i financave, për të gjetur rrugë më efektive, jo thjesht për të luajtur futboll. Liga do të jetë e pavarur, një institucion brenda FSHF-së, si anëtarët e tjerë, por me një organizim ndryshe”, – u shpreh presidenti i Ligës, Libohova.

Presidenti i FSHF-së, Duka, dhe zëvendësi i tij,Libohova

Normalisht, Liga duhet të ketë rol të rëndësishëm në shitjen e të drejtës televizive, por FSHF-ja e ka shitur të drejtën televizive për katër vite. Po ashtu, Liga duhet të ketë ndikimin në sektorin e gjykimit dhe duhet parë se çfarë do të bëhet konkretisht në këtë drejtim, pasi ende nuk është bërë e ditur me detaje se çfarë vendimesh do të ketë të drejtë të marrë kjo shoqatë. Pas mbledhjes, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka thënë: “Mbledhja ishte iniciativë e klubeve të Superiores për përfundimin e procesit të Ligës Profesioniste. Janë bërë tashmë zgjedhjet për drejtuesin e Ligës, i cili është Edvin Libohova. Tani duhet bërë regjistrimi sipas procedurave juridike. Më pas Liga do të fillojë aktiviteti i Ligës, që do të ketë ndikim në organizimin dhe menaxhimin e aktiviteteve të Superiores.

Është një proces i rëndësishëm për zhvillimin e futbollit. Klubet do të mbrojnë interesat e tyre, do t’i diskutojnë problemet në tavolinë. Mungesa e Tiranës? Ky klub e ka firmosur statutin dhe nuk është kundër Ligës, mundonte për arsye objektive. Të gjitha të drejtat e manaxhimit të aktivitetit të Superiores do t’i ketë Liga. Nuk do të ketë komisione paralele. FSHF-ja do t’i japë akses Ligës të kontrollojë 100% atë çfarë i takon asaj.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë