Ekonomi

Krijohet “Banka Shqiptare e Zhvillimit” me fokus tek bujqësia, Rama: Motor zhvillimi për ekonominë

Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria ka gati një projektligj për të hapur “Bankën Shqiptare të Zhvillimit”, e cila do të ketë në fokus financimin e fushave kryesore të ekonomisë e veçanërisht bujqësinë.

Pa dhënë shumë detaje mbi projektligjin i cili ende nuk është bërë publik,  kryeministri Edi Rama tha se projekti po bëhet në bashkëpunim me Casa Depositi e Prestiti në Itali.

“Sapo kemi mbaruar një mbledhje për dy çështje, e para finalizimi i projektligjit për Bankën Shqiptare të Zhvillimit falë bashkëpunimit me prestigjiozen “Cassa Depositi e Prestiti” në Itali, një institucion financiar që bënë pjesë në gjerdanin e ekselencave italiane jemi gati t’ia shtojmë Shqipërisë këtë motor zhvillimi. Projekti është bindës dhe do të hidhet së shpejti për konsultim publik, banka do të menaxhohet nga një super skuadër shqiptaro-italiane dhe do të asistohet nga afër nga partnerët e Cassa Depositi e Prestiti për të garantuar një qeverisje të pavarur dhe të suksesshme”, tha Rama.

Edi Rama njoftoi se një garanci shtetërore do të vihet në dispozicion të skemës së Bankës së Shqipërisë, për programin e saj të kredive të buta për biznesin e vogël dhe të mesëm.

“Banka e Shqipërisë sapo ka miratuar një linjë të re financimi për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme me fokus kryesor tek bujqësia, 250 milionë euro. Kemi diskutuar që ta mbështesim nga qeveria këtë ligj financimi edhe me një garanci sovrane, ky është volumi më i lartë i vënë në mbështetje me kredi të buta’, tha Rama.

Në programin e miratuar nga Banka e Shqipërisë parashikohet që bizneset e vogla e të mesme të marrin kredi deri në 250 mijë euro për investime, me normë interesi deri në 3.5%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë