Nga Gazeta Si- Substancat me Origjinë Njerëzore (SoHo), që janë substanca si gjaku, indet apo qelizat riprodhuese që përdoren për riprodhimin mjekësor të asistuar (fertilizimi invitro) do të menaxhohen tashmë nga Autoriteti Kombëtar SoHO, që do të drejtohet nga Ministria e Shëndetësisë.
Deri më tani, gjaku menaxhohej nga Qendra Kombëtare e transfuzionit të gjakut por me draftin e ri të hedhur për konsultim, si ligji “Për shërbimin e trasfuzionit të gjakut” dhe ligji “Për transplantin e indeve e qelizave” shfuqizohen.
Në draft shkruhet se do të krijohen strukturat SoHO që duhet të regjistrohen si të tilla përpara se të fillojnë aktivitetet. Më pas, këto struktura do kenë në menaxhim qendrat SoHO.
Në mënyrë që të regjistrohet si strukturë SoHO, duhet të deklarojë se pranon të inspektohet dhe se do të bashkëpunojë me autoritetet kompetente përkatëse në çdo çështje që lidhet me kryerjen e aktiviteteve si dhe të dorëzojë gjithë listat e aktiviteteve.
Gjithashtu, strukturat SoHO duhet të implementojnë një sistem gjurmimi, në mënyrë që të lidhin çdo dhurues SoHO ose personin nga i cili SoHO-t mblidhen për përdorim autolog ose brenda ҫiftit, SoHO-n e dhuruar, si edhe të gjitha dokumentat, mostrat, preparatet dhe strukturat SoHO që janë të lidhura me atë SoHO në çdo moment.
Aktivitetet që ato kryejnë do përfshijnë dhurimin, përpunimin, kontrollin, dokumentimin, ruajtjen, shpërndarjen, dhe sigurimin e cilësisë. Organizimi i qendrave dhe strukturave SoHO përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Do ketë edhe një bord Koordinimi ku do jenë dy anëtarë të përhershëm dhe dy zëvendës që do përfaqësojnë Ministrinë në BE.
Pranë Ministrisë do të krijohet dhe mbahet regjistri kombëtar i strukturave SoHO, ku do të përdoret edhe Platforma SoHO e BE-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



