Ekonomi

Krifca: Blegtoria, sfida e këtij viti. Eksportet ishin ‘kali ynë i betejës’ në 2022-shin

Ministrja e bujqësisë, Frida Krifca, gjatë prezantimit të objektivave për 2023-shin, tha se blegtoria do të jetë sfida kryesore.

“Ndonëse kemi mbështetur 6500 blegtorë të cilët kanë marrë vlerën më të lartë ekonomike vitin e shkuar, mishi dhe qumështi kanë patur një rënie prej 5%. Blegtoria është sfidë edhe për vendet e Bashkimit Europian që kanë patur një rënie gjatë dekadës së fundit me 10%.

Këtë vit do të kemi një program të dedikuar, të mbështetur nga qeveria zviceriane vetëm për blegtorinë dhe gjithashtu do vijojmë mbështetjen edhe nëpërmjet Skemës Kombëtare”, tha Krifca.

Ajo u shpreh se bazuar në të dhëna, bujqësia është në nivele të stabilizuara.

“Kemi një kontribut pozitiv të bujqësisë në prodhimet e brendshme bruto me 0.05 për qind. Punësimi është rritur në bujqësi gjatë tremujorit të tretë me 6.5 për qind. Edhe paga minimale gjithashtu është rritur prej 15.7 për qind.

Sektori është shumë herë më i formalizuar se një vit më parë.

Kemi një numër në rritje të fermerëve me NIPT, 85 mijë. Të dhënat paraprake flasin për një stabilitet të prodhimit dhe një rritje të lehtë. Krahasuar me 2021, kemi ecuri pozitive me rritje të parashikuar te disa kultura si prsh te gruri me 4 për qind, elbi 24 për qind, mjalt 6 përqind, ulliri që ka pasur ecuri fantastike me 39 për qind“, tha ajo.

Duke u ndalur te eksportet, Krifca iu referua atyre si “kali i betejës” për vitin 2022.

“Kemi rritje me 18 për qind në vlerë dhe 15.6 për qind në sasi krahasuar me 2021. Struktura e eksportit ka pësuar ndryshim cilësor si dëshmi e vlerës së shtuar. Kemi siguruar një mbështetje progresive për prodhimin, ruajtjen, magazinat, është shumëfishuar vëllimi i kapaciteve mbrojtëse. Të gjitha këto janë një strukturë e rëndësishme për eksportin. Kemi çarë tregje të reja. Kemi eksportuar në 73 vende, 10 vende të reja sesa një vit më parë.

Si rezultat i marrëveshjes Ballkani i Hapur, volumi tregtar mes tre vendeve është rritur me 23%.

Eksportet me Serbinë janë rritur në vlerë me 58% dhe në sasi me 13.6%. Pra kemi shitur më shumë dhe më shtrenjtë.

Ndaj Maqedonisë së Veriut janë rritur 37.2% në vlerë dhe 32% në sasi. Ndërkohë, importet bujqësore nga Serbia kanë rënë me 9%”, tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë