“Më vjen keq për vendimin e opozitës për të mos marrë pjesë në zgjedhje. Ne demokraci duhet diskutuar dhe jo duke bojkotuar zgjedhjet, kjo nuk është rruga e drejtë. Shqiptaret kanë ëndërruar zgjedhjet e ndershme dhe janë monitoruar nga OSBE”. Ky ishte reagimi i parë i kreut të radhës së OSBE-së mbi krizën politike në vendin tonë dhe protestat e njëpasnjëshme te opozitës.
Ministri në detyrë Gent Cakaj ka pritur në një vizitë zyrtare në Tiranë, Kryetarin e radhës së OSBE-së dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Republikës Sllovake, Miroslav Lajčák. Ky i fundit ka folur jo vetëm për marrjen e kryesimit të OSBE-së nga Shqipëria, por edhe për situatën politike në vendin tonë.
Ministri slloven u shpreh se sulmet ndaj misionit të OSBE-së në Shqipëri janë të papranueshme dhe dënoi opozitën për bojkotimin e parlamentit. Lajčák ka deklaruar se protestat e dhunshme në Shqipëri janë bërë të mërzitshme dhe se po dëmtojnë imazhin e vendit.
“Dëshiroj të theksoj se institucionet e forta me një parlament efikas janë gurët themelorë të demokracisë dhe janë të qenësishëm për stabilitetin e shtetit ligjor. Nxis aktorët politik të angazhohen në forcimin e këtyre institucioneve. Protestat paqësore janë një e drejtë themelore që duhen respektuar. Dallimet duhet të debatohen në Parlament nga të gjithë përfaqësuesit përfshirë dhe opozitën. Përshkallëzimi i dhunës gjatë disa protestave të drejtuar nga opozita është bërë është bërë e mërzitshme. Trazirat nuk duhet të zëvendësojnë angazhimin demokratik, përkundrazi ato heqin çdo shans për dialog”, deklaroi ai.
I pyetur nëse do të ndërhyjë për të ulur të dyja palët në dialog, ashtu si në vitin 2011, Lajcak deklaroi se Shqipëria ka bërë përparime të mëdha demokratike dhe se tani është radha e opozitës dhe qeverisë ta gjejnë vetë gjuhën e përbashkët.
“OSBE ka punuar për të mirën e vendeve. Bashkëpunimi është forcuar për luftën kundër korrupsionit. Vendi juaj do të marrë në dorë kryesinë e OSBE nga 1 janari i ardhshëm. Sllovakia është gati të mbështesë ekipin tuaj për këtë detyrë. Duke ju ndihmuar dhe duke ndarë provojën tonë me ju. Kemi patur bashkëpunim të mirë. Ju urojmë suksese për të marrë në dorë këtë detyrë. Shqipëria ka bërë përparim, por më shumë nevojitet të bëhet sidomos në krimin e organizuar dhe reformat në Drejtësi. Institucione të forta dhe parlament efikas është një forcim i demokracisë. Protestat paqësore janë e drejtë themelore e respektuar. Por dallimet duhet të përfaqësohen në parlament. Vazhdimi i protestave të dhunshme do të dëmtojë dhe të pengojë Shqipëri në rrugën e saj për përparim. Duhet kaluar këto dallime. Dua të them se është për të ardhur keq nga heqja dorë e mandateve. Opozita ka një rol të rëndësishëm, por veprimi i tyre nuk ishte i drejtë. Dhuna ndaj ambasadorit të OSBE ishte e papranueshme, falënderoj qeverinë për masat që ndërmori” është shprehur Lajcak.
Ai ka inkurajuar autoritetet shqiptare të vazhdojnë progresin në reformën në Drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në fjalën e tij Cakaj nuk ka lënë pa përmendur edhe protestat e opozitës, duke deklaruar se zgjedhjet lokale do të mbahen dhe se nuk ka asnjë forcë politike që do t’i ndalojë.
“Në këtë takim nuk kam mundur të aktroj sikur në Tiranë nuk ka ndodhur asgjë. Kemi diskutuar edhe për rrethanat e brendshme në Shqipëri dhe për sjelljen e opozitës në veçanti. Ajo çka kam siguruar ministrin Lajçak qoftë në cilësin si ministër i punëve të jashtme të Sllovakisë dhe qoftë si Kryetar i radhës i OSBE-së, është se axhenda progresive do të vazhdojë pa asnjë diskutim përkundër sjelljeve të dhunshme që mund të karakterizojnë Tiranën ditët e fundit ose do të shtohen ndërkohë. Është tepër e rëndësishme që zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor dhe nuk ka forcë që i ndalon. Dhuna e opozitës është e papranueshme për imazhin që ka Shqipëria aktualisht dhe nuk i kontribuon cilësisë së reformave”, tha Ministri në Detyrë.
Cakaj tregoi po ashtu edhe detaje nga bisedimet me ministrin sllokav dhe rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Ne kemi diskutuar për marrëdhëniet tona. Presim Komisionin ekonomik për të zhvilluar tregti ekonomike. Kemi biseduar për hapjen e negociatave në qershor. Ai ka mbështetur hapjen e negociatave pa kushte, dhe ai beson se hapja e negociatave. Dhuna është e papranueshme për imazhin ndërkombëtar dhe nuk i kontribuon nevojave të Shqipërisë për hapjen e negociatave”, është shprehur Cakaj.
Pas Cakaj, ai u takua me Kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili e informoi Lajcak mbi ecurinë e reformave integruese si edhe përgatitjet e Shqipërisë për të marrë Presidencën e OSNBE-së në vitin 2020.
“Shqipëria ka bërë hapa të pamohueshëm në reformat integruese dhe shprehu besimin se do të realizojë një Presidencë të suksesshme të OSBE-së.
Duke folur për situatën politike në Shqipëri, Lajcak deklaroi se: “Protestat janë një mjet demokratik, por ato nuk mund të zëvëndësojnë procesin parlamentar dhe debatin në Parlament. Opozita është zgjedhur për të ushtruar përgjegjësitë e saj parlamentare. Reformat duhet t’i vazhdoni në mënyrë të pakthyeshme dhe duke bërë kujdes të mos dëmtoni rezultatet e deritanishme. Parlamenti është funksional, ka kuorumin kushtetues dhe shumicat e nevojshme për të punuar normalisht dhe për të marrë vendimet e duhura në të mirë të vendit. Shqipëria nuk është një ishull i izoluar, por pjesë e organizatave ndërkombëtare dhë të gjithë partnerët ndërkombëtare e kanë bërë të qartë se askush nuk ka miratuar e nuk miraton veprimet e opozitës kundër sistemit. Asnjë arsye që ngre opozita nuk është argument për të braktisur mandatet dhe detyrimet parlamentare. Të gjithë ju inkurajojmë të ecni përpara dhe do të vazhdoni të kini mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë”.
Në përgjigje të interesimit të Lajcak, Ruçi, shpjegoi situatën politike në Shqipëri dhe vuri në dukje se pretendimet e opozitës për ilegjitimitetin e Kuvendit dhe mungesën e hapësirave demokratike për të ushtruar përgjegjësitë e saj parlamentare nuk qëndrojnë. “Zgjedhjet në Shqipëri gjithmonë kanë pasur probleme, por zgjedhjet e vitit 2017 kanë qenë të parat zgjedhje të kontrolluara nga opozita, e cila ishte në bashkëqeverisje; të parat zgjedhje të çertifikuara nga 40 mijë komisionerë, gjysma e të cilëve të opozitës; të parat zgjedhje për të cilat nuk ka pasur asnjë ankesë në Kolegjin Zgjedhor; zgjedhje që u paraprinë nga një fushatë e qetë, më e qeta në historinë e zgjedhjeve shqiptare. Ndërkohë, opozita, pas ndryshimet të Rregullores së Kuvendit me vullnetin e qartë të shumicës parlamentare, ka gëzuar të gjithë aksesin dhe të gjitha hapësirat për të ushtruar përgjegjësitë e saj parlamentare.”, nënvizoi Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




