Politike

Kreu i KLSH, beteja e re Meta-Rama

Një ditë pas kthimit për herë të dytë të ligjit për Teatrin për shqyrtim Kuvendit, presidenti Ilir Meta shpall garën për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Presidenca njoftoi nisjen e procesit të pranimit të kandidaturave për kreun e KLSH-së, duke lënë si afat periudhën nga data 12 tetor 2018 deri më datë 30 tetor 2018.

Në bazë të nenit 162 të Kushtetutës,  Kontrolli i Lartë i Shtetit është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar. Ai u nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe ligjeve. Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit zgjidhet dhe shkarkohet nga Kuvendi me propozim të Presidenti të Republikës. Ai qëndron në detyrë për 7 vjet, me të drejte rizgjedhjeje.

Ky kriter i përcaktuar në ligjin themeltar të shtetit vë në lëvizje dy institucione, Presidentin dhe Parlamentin.

Kjo pritet të sjellë një betejë të re mes Metës dhe Ramës sa i përket çështjes së kreut të KLSH-së. Pas çështjes së mbetur pezull emrit për kreun e SHISH, i refuzuar nga Presidenti, rrëzimit dy herë radhazi të ligjit për Teatrin, tashmë kjo pritet të jetë përplasja e re mes Presidentit dhe maxhorancës.

Ndërsa për këtë proces, presidenti duket të jetë edhe përballë faktit nëse kreu i KLSH-së do t’i takojë ndonjë përfaqësuesi të opozitës, një praktikë që ka qenë e vendosur dikur, porse u nuk zbatua rigorizorisht nga palët që kanë pasur pushtetin. Gjithashtu Presidenti është i detyruar edhe të nisë konsultimet me maxhorancën para se të firmosë emrin për kreun e ri të KLSH-së, me qëllim që ai të mos të rrëzohet nga Kuvendi.

Kandidati, jo spiun dhe jo me të shkuar kriminale

Mandati i kryetarit të KLSH-së, Bujar Leskajt përfundon më 22 dhjetor. Edhe pse Kushtetuta ia  lejon, Leskaj nuk ka pranuar që të rikandidojë për këtë post. Ai ka paraqitur një letër zyrtare duke mos preferuar rikandidimin. Sipas ligjit për organizimin e funksionimin e KLSH-së,  në nenin 20 përcaktohet se “Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit duhet të zgjidhet shtetasi shqiptar, që plotëson kushtet e mëposhtme: a) ka arsim të lartë në ekonomi, financë ose drejtësi; b) përvojë profesionale në çështje financiare; c) ka kualifikime të larta profesionale dhe përvojë pune në profesion jo më pak se 10 vjet;  ç) gëzon integritet të lartë moral dhe profesional; d) nuk është dënuar më parë për kryerjen e një krimi me vendim gjyqësor të formës së prerë”.

Ndërsa në njoftimin e Presidencës janë shtuar edhe disa kritere shtesë për kandidatët që synojnë postin e kreut të KLSH-së, duke i kërkuar që ata të mos jenë të inkriminuar apo të kenë pasur një të shkuar të errët si bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit.

“Kandidati duhet të paraqesë Formularin e vetëdeklarimit të plotësuar dhe nënshkruar sipas përcaktimeve të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”; Formularin e aplikimit të plotësuar “Për informim përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta”, në përputhje me parashikimet ligjore të nenit 29, të ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e Ish-sigurimit të shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”; – Vetëdeklarim i aplikantit se nuk ndodhet në kushtet e pengesës ligjore të papajtueshmërisë së funksionit sipas përcaktimeve të nenit 21 pika 1, të ligjit nr.154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e KLSH””, thuhet në njoftimin e Presidencës .

Këto kritere shtesë do të aplikohen në fazën e dytë të përzgjedhjes të kandidaturave, pas administrimit të dokumentacionit, e emrave të personave, të cilët kanë shprehur interesin dhe CV-të e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë