Drejtësia

Kreu i ILD: Drejtësia prej kohësh nën presion, sulme antikushtetuese!

Gazeta Si – Kreu i Inspektoritit të Lartë i Drejtësisë, Artur Metani i ka dalë në mbrojtje të pavarësisë së magjistratëve dhe sistemit të drejtësisë në tërësi.

Duke adresuar shqetësimin për presionet në rritje mbi trupën gjyqësore, Metani deklaroi se sistemi gjyqësor në Shqipëri prej kohësh ndodhet nën një trysni të papranueshme, të cilën ai e cilësoi “në kufijtë e antikushtetueses”.

“U bë kohë që sistemi gjyqësor është nën një trysni, për mua antikushtetuese, për të ushtruar detyrën ose jo, në një formë të caktuar. Nga të gjithë. U bë kohë që fyerjet për magjistratët janë pjesë më e konsiderueshme e artikulimit kur vjen puna tek kritikat për pushtetin gjyqësor. Natyrisht, të papranueshme këto në çdo pikëpamje. Kjo i vë magjistratët në provë të vështirë. Por, testi i pavarësisë, i ndarjes së pushteteve dhe i shtetit të së drejtës, nuk është vetëm retorikë”, tha Metani në takimin e organizuar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë në bashkëpunim me projektin “Matra” të qeverisë së Mbretërisë së Holandës.

Ai u shpreh se etikat dhe interesat politike nuk mund dhe nuk duhet të diktojnë sjelljen e trupës gjyqësore.

“Ndryshe nga pushtetet apo institucionet e tjera, magjistratët dhe institucionet e pavarura të drejtësisë e kanë një lloj kufizimi, që vjen me detyrën për t’u treguar të përmbajtur, edhe kur sulmohen pa të drejtë. Mes zërave të fortë publikë, kjo i bën që të perceptohen si të dobët, por nuk është aspak ky rasti. Vetëpërmbajtja nuk duhet ngatërruar me dobësinë”.

Pavarësisht trysnive dhe presioneve me të cilat magjistratët përballen çdo ditë, kreu i ILD-së thekson se besimi i publikut tek gjyqësori është i rëndësishëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë