Kreu i Eurojust për Italinë, Filippo Spiezia, deklaroi se kriminaliteti shqiptar dhe ai italian është në nivelet më të larta të kriminaliteti botëror.
Gjatë konferencës online për shtyp me palën shqiptare pas operacionit “Shpirti”, ai tha se goditja e krimit të organizuar është një rrugëtim që duhet të vazhdojë.
“Mbështes këtë aksion të rëndësishëm. Si fillim operacioni nga policia italiane dhe ajo shqiptare, është në nivelet shumë të larta. Ky model sot është perfeksionuar, sepse u realizua një hetim i përbashkët, duke thyer barrierat territoriale mes Shqipërisë dhe Italisë”, - tha Spiezia.
Sipas tij, ajo që po ndodh mes Shqipërisë dhe Italisë nuk ka precendent. “Ky është operacion është një model që duhet të aspirojmë të gjithë. Gjithashtu dua të nënvizoj se kushtet thelbësore për të siguruar ligjshmërinë dhe zhvillimin ekonomik dhe kjo ishte një dëshmi për të gjithë shqiptarët dhe italianë se pa luftuar riciklimin e parasë nuk mund të ketë zhvillim ekonomik”.
Drejtori i Eurojust theksoi se puna e nisur me këëtë operacion nuk mbaron këtu. Gjatë operacionit të koduar policor me emrin “Shpirti”, u arrestua prokurori i Vlorës, Maksim Sota.
Po ashtu, në pranga kanë rënë edhe 5 punonjës policie. Mes tyre është edhe ish-nëndrejtori i Policisë së Vlorës, Ilirjan Balla, si dhe Festim Lelaj, një ish-oficer policie i arrestuar edhe më herët për trafikim lëndësh narkotike në drejtim të Italisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.