Kosova

Krerët e institucioneve të Kosovës nderojnë ish-senatorin Dole

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryekuvendari Glauk Konjufca, kryeministri Albin Kurti, bashkë me të ngarkuarin me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Nicholas J. Giacobbe, kanë nderuar sot ish-senatorin Bob Dole.

Krerët vendosën kurora lulesh dhe bënë homazhe te busti i senatorit Bob Dole në Prishtinë, i cili vdiq dje(6 dhjetor)në SHBA, pas një sëmundjeje.

Osmani, Konjufca e Kurti kanë vlerësuar lart kontributin e ish-senatorit Dole për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Jemi këtu për t’i thënë lamtumirë njërit prej miqve më të jashtëzakonshëm dhe më të mëdhenj që ka pasur Kosova në historinë e saj, senatorit Bob Dole, i cili u nda nga ne dje, duke lënë jo vetëm Amerikën, por gjithë Kosovën të pikëlluar, por në të njëjtën kohë shumë krenar për miqësinë që krijuam përgjatë dekadash dhe gjithë përkrahjen që ai ia dha popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi”, ka thënë Osmani, e cila i ka shprehur ngushëllime familjes dhe gjithë popullit amerikan për vdekjen e Doles.

Po ashtu edhe kryeministri Kurti gjatë fjalës së tij tha se Dole ishte angazhuar për çështjen e Kosovës që në fund të viteve 80.

“Senatori Bob Dole pati një jetë të gjatë, gati një shekull, por edhe një karrierë të bujshme dhe shumë të lëvdueshme. Senatori Bob Dole ka kontribuar shumë për paqen në Europë edhe si luftëtar gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe si politikan i majave më të larta të institucioneve demokratike të SHBA-së. Teksa ai prehet i qetë, ne përkulemi para jetës dhe veprës së tij dhe kujtojmë me vlerësimet më të larta kontributin e senatorit Bob Dole”, tha Kurti.

Ndërsa edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, shtoi se Kosova dhe gjithë populli shqiptar do ta kujtojnë gjithmonë kontributin e ish-senatorit.

“Populli i Kosovës dhe kombi shqiptar në përgjithësi do të jetë përjetësisht mirënjohës për veprën dhe kontributin e senatorit Bob Dole”, tha Konjufca.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë