Gazeta Si – “Moska i trajton deklaratat që lidhen me armët bërthamore me kujdes dhe beson se të gjithë duhet të jenë të kujdesshëm në këtë çështje”.
Kjo është deklarta e zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, i cituar nga agjencia e lajmeve “RIA Novosti”, në lidhje me njoftimin e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump për dërgimin e dy nëndetëseve bërthamore në zonat “më afër” Rusisë.
Po ashtu, Kremlini ka deklaruar se, kur bëhet fjalë për politikën e jashtme, është e nevojshme të përqendrohemi në deklaratat e presidentit Vladimir Putin dhe jo në ato të zyrtarëve të tjerë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i bëri këto sqarime, duke komentuar polemikat në mediat sociale midis presidentit të SHBA-ve Donald Trump dhe zëvendëskryetarit të Këshillit të Sigurisë Ruse, Dmitry Medvedev.
“Gjëja kryesore, sigurisht, është qëndrimi i presidentit Putin. Në vendin tonë, politika e jashtme formulohet nga kreu i shtetit”, – theksoi Peskov në përgjigje të një pyetjeje nëse Kremlini do ta këshillonte Medvedevin të zbuste deklaratat e tij të politikës së jashtme.
“Në çdo vend, anëtarët e udhëheqjes kanë pikëpamje të ndryshme mbi ngjarjet aktuale. Ka figura me pozicione shumë, shumë të ashpra edhe në Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane, kështu që është gjithmonë kështu”, vuri në dukje zëdhënësi.
Përplasja mes Medvedevit dhe Trumpit ndodhi në kohën kur Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë afat Rusisë deri më 8 gusht që t’i japë fund luftës kundër Ukrainës ose në të kundërtën do të përballet me sanksione.
Medvedev i tha Trumpit se “çdo ultimatum është kërcënim dhe një hap drejt luftës. Jo në mes të Rusisë dhe Ukrainës, por kundër shtetit të tij”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




