Bota

Kremlini: Putin, i gatshëm të dialogojë me Macron

Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti rus Vladimir Putin është “i gatshëm për dialog” edhe me homologun e tij francez Emmanuel Macron.

Lajmi u bë i ditur nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, i cili për mediat ruse theksoi se “nëse ekziston vullneti i ndërsjellë politik për ta bërë këtë”, atëherë “Putin është i gatshëm të angazhohet në dialog me Macronin”.

Përgjigja vjen vetëm dy ditë pasi presidenti francez theksoi se dialogu i drejtpërdrejtë me Putin mund të jetë i dobishëm si për europianët, ashtu edhe për ukrainasit.

Ndërkohë, në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës vijojnë edhe sot bisedimet mes të dërguarit të presidentit rus, Kirill Dimitriev, dhe të dërguarit special të SHBA-ve, Steve Witkoff, si dhe dhëndrit të Trump, Jared Kushner.

Në përfundim të ditës së takimit të parë, Dimitriev tha për mediat se bisedimet ishin konstruktive, por pa dhënë detaje lidhur me çështjet konkrete për të cilat po bisedohet.

Zyrtarët amerikanë, ukrainas dhe evropianë më herët këtë javë raportuan përparim në garancitë e sigurisë për Kievin, si pjesë e bisedimeve për t’i dhënë fund luftës, por mbetet e paqartë nëse këto kushte do të jenë të pranueshme për Moskën.

Ndërsa përpjekjet diplomatike vijojnë në disa fronte, në terren Rusia vazhdon përpjekjet për të forcuar pozitat e veta. Rusia tha se forcat e saj të armatosura kishin marrë kontrollin mbi dy vendbanime të tjera në rajonet Sumy dhe Donetsk, ndërsa Ukraina raportoi sulme kundër një fregate ruse.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë