Biznes

Kreditimi, pse jemi të fundit në rajon?

Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e tij më të fundit pak muaj më parë do të theksonte se “likujditeti i sektorit bankar vlerësohet si shumë i lartë, por që vjen edhe si pasojë e dobësisë në kreditim”.

Thënë këtë FMN do të vërente se “Transmetimi i politikës monetare në ekonominë reale është vonuar për shkak të ngërçeve strukturore, të cilat duhet të korrigjohen nga qeveria dhe Banka Qendrore.”

Duke e parë si shqetësim për ekonominë reale kreditimin e shtrënguar nga Bankat e Nivelti të Dytë në vend, FMN do të sugjeronte se reformat e sektorit Financiar duhet të ndihmojnë rigjallërimin e rritjes së kreditimit të sektorit privat dhe përshpejtimin e ndërmjetësimit, duke përfshirë përmirësimet e mëtejshme në zgjidhjen e mungesës së performancës së kredive.

Sipas Fondit, kredia e ngadaltë në lekë kufizon krijimin e parasë, e cila mund të vazhdojë trendin e euroizimit, nën regjimin fleksibël të kursit të këmbimit. FMN rekomandon më shumë përpjekje për të zhbllokuar ofrimin e kredisë.

Po ashtu dy ditë më parë gjatë takimit me Guvernatorin e Bankës Qendrore Gent Sejkon, Misioni i Bankës Botërore i cili ka ardhur për vizitë në Tiranë, duke parë një mjedis kredituese të errët në vend, i parashtruan atij mundësinë e dakordimit të programeve të përbashkëta në të ardhmen, të cilat do të mundësonin përmirësimin e mëtejshëm të ambientit të kreditimit.

Sipas Seenews Bussines Intelligence for Southeast Europe, Shqipëria për 2018-ën renditet e fundit në rajon për kreditimin me 2% rritje të kredive neto.

Në renditjen e bankave të rajonit për kreditimin neto e para qëndron Moldavia me një rritje 19,1 % e pasuar nga Serbia, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut.

Në vitin 2018, citon dokumenti i Seenews, kreditë neto të sektorit bankar u rritën me 5.7% nga viti në vit në 191.4 miliardë euro. Teksa në 2017-ën rritja ka qenë 3.9% duke pasqyruar kërkesën në rritje të sektorit privat në një mjedis me norma interesi në rënie, rritje të punësimit dhe të ardhurave. Për më tepër, bankat në Europën Juglindore lehtësuan standardet e kredisë nëpër segmente të caktuara, në një përpjekje për të dhënë kredi të reja dhe për të kompensuar të ardhurat në rënie nga diferenca e normës së interesit në rënie midis kredisë dhe bazës së depozitave. Një faktor tjetër i rëndësishëm për rritjen neto të kredisë ishte rënia e zhvlerësimit të aseteve në krahasim me vitin 2017.

Sipas FMN-së, arsyet pse sektori i kreditimit çalon në vendit tonë lidhen me “Financimin e përgjithshëm të bankave europiane në Ballkan, të cilat kanë kufizuar furnizimin me kredi në Shqipëri.” Gjithashtu, sipas Fondit, niveli i lartë i informalitetit pengon rritjen e kredisë, pasi bankat mund të japin kredi vetëm bazuar në pasqyrat financiare formale.
Po ashtu edhe niveli i ulët i përfshirjes financiare kufizon më tej aksesin në shërbimet bankare, duke përfshirë kredinë.

Sipas ekspertëve vendas, situata aktuale e kreditimit në vend vjen si pasojë e standardeve të forta të huadhënies, mungesa e projekteve të realizueshme dhe cilësore nga biznesi dhe më pak dëshirë nga ky i fundit për t’u financuar me hua bankare, kalibrimi më i mirë i procesit të menaxhimit të rrezikut në gjithë sektorin bankar, ku të gjithë së bashku ndikojnë thellë e në vijim mbi portofolin e huave bankare.

Po ashtu faktorë risku janë demografia në rënie, industrializimi bazik i ekonomisë, bujqësia masivisht e nënfinancuar, ekonomia gri ende e madhe, sundimi i dobët i ligjit dhe problematikave me titujt e pronësisë.

Nuk kemi as bankat më të mira në rajon

Sipas Seenews shtatë bankat shqiptare edhe pse të renditura në vendet e fundit, ia kanë dalë të hyjnë për të dytin vit radhazi në listën e SEE për 100 bankat më të mira në rajonin e Europës Juglindore (TOP 100 Banks), megjithatë sipas të dhënave, bankat shqiptare janë renditur më lart se vitin e kaluar.
Performanca më e mirë ishte Banka Kombëtare Tregtare në vendin e 23-të me 3.5 miliardë euro asete në fund të vitit 2018. Banakt e tjera shqiptare që kaluan pragun për hyrjen në renditje ishin Banka Raiffeisen, Banka Credins, Intesa Sanpaolo Bank Albania , Alpha Bank Albania, Banka Amerikane e Investimeve dhe Tirana Bank.

Banca Transilvania e Rumanisë zëvendësoi Banca ComercialaRomana si banka më e madhe në Europën Juglindore, duke mposhtur konkurrentin vendas Banca ComercialaRomana, që ra në vendin e tretë në krahasim me 2017. BRD - GroupeSocieteGenerale SA mbajti pozicionin e saj si banka e katërt më e madhe në rajon në drejtim të aseteve. Fitimi i saj u rrit në 331.5 milionë euro vitin e kaluar falë rritjes së biznesit, përmirësimit të performancës operacionale dhe kostos neto të rishikimit të rrezikut. Të ardhurat neto operative të BRD-së u rritën me 13%, ndërsa të ardhurat neto nga interesi u rritën me 16.5%.

Pesë bankat më të mëdha në EJL përbënin 25% të totalit të aktiveve të 100 bankave në rajon në fund të vitit 2018, pasi sektori vazhdoi të konsolidohet. Shumica e marrëveshjeve kishin të bënin me çrrënjosjen e vazhdueshme të bankave greke dhe grupit bankar francez SocieteGenerale. Në fund të blerjes, OTP i Hungarisë ishte lojtari kryesor. Bankat e tjera të mëdha të huaja në rajon mbetën UniCredit e Italisë dhe Erste, si edhe Raiffeisen të Austrisë.
Fitimi neto i kombinuar i 100 bankave kryesore nga asetet në rajon u rrit në 4.354 miliardë euro në 2018, duke u rritur me 24% krahasuar me vitin e kaluar. Numri i bankave humbëse në mesin e 100 më të mirëve gjithashtu ka rënë, vetëm në katër nga 10 në 2017 dhe 12 në 2016.
Megjithatë, totali i aktiveve të bankave më të mëdha në rajon u rrit vetëm pak. Asetet e kombinuara të 100 bankave në SEE arritën në 279 miliardë euro, duke u rritur me vetëm 1.45% krahasuar me 275 miliardë euro në një vit më parë.

Aktivet e përgjithshme të sistemeve bankare në Europën Juglindore u rritën me 5.5% nga viti në vit, në gati 312 miliardë euro deri në fund të vitit 2018, pasi rritja vjetore u përshpejtua nga 4.1% e 2017-ës. Zgjerimi më i shpejtë u raportua në Serbi, Moldavi dhe Maqedoninë e Veriut, respektivisht 12.2%, 9.8% dhe 9.3%.

Rankimi i 100 bankave më të mira në rajon është i pari i një serie botimesh të veçanta të botuara nga SeeNews. Pas suksesit 11-vjeçar të renditjes vjetore TOP 100 SEE, edicioni bankar rendit 100 bankat më të mëdha në terma të totalit të aktiveve në fund të vitit 2018 për 11 tregje në Europën Juglindore duke përfshirë Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Bullgarinë, Kosovën, Maqedoninë Veriore, Moldavinë, Slloveninë, Serbinë, Rumaninë, Malin e Zi dhe Kroacinë. Botimi i vitit 2019 bazohet në të dhënat nga regjistrat kombëtarë të tregtisë, bursat, qeveritë dhe faqet e internetit të korporatave, organet rregullatore sektoriale, ofruesit e informacionit lokal të biznesit, si dhe kompanitë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë