Nga Gazeta ‘SI’- Kreditimi i ekonomisë nga bankat ka vijuar me ritme të larta edhe në tremujorin e parë të vitit 2025.
Bankat kanë dhënë 30 miliardë lekë kredi gjatë kësaj periudhe, raporton Banka e Shqipërisë, për individë dhe bizneseve.
Kredia në lek është rritur më ngadalë se ajo në euro, respektivisht 15.2% dhe 18.7% në raport vjetor. Ky zhvillim, raporton BSH, lidhet me kreditimin e biznesit të madh dhe një diferencë në normat e interesit të kredisë në lek dhe euro. Pavarësisht këtyre zhvillimeve, portofoli i kredisë së bankave dominohet nga monedha vendase, e cila përbën 57.2% të totalit.

Kredia për biznese
Kredia për këtë segment u rrit me një normë të përshpejtuar prej 17% në tremujorin e parë. Kjo rritje reflektoi kryesisht zgjerimin e financimit për kapital qarkullues, i cili formoi rreth 80% të rritjes së kredisë së bizneseve këtë periudhë. Në krahasim me një vit më parë, rritja e kredisë për kapital qarkullues ishte 15% më e lartë. Ndërkohë, rritja vjetore e kredisë për qëllime investimi shënoi 18.3%, duke qëndruar në nivele të larta.
Kredia për individë
Në tremujorin e parë, kredia për individë u rrit me rreth 16.2%, duke shënuar një ritëm të ngjashëm me një tremujor më parë. Kredia për banesa u rrit me një normë lehtësisht më të ngadaltë, prej rreth 17.5%, ndërsa kredia konsumatore përmirësoi ritmet e rritjes në 16.8% mesatarisht.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.