Para

Kreditë e trashëguara nga ish-komunat, Bashkitë kërkojnë t’ja transferojnë Qeverisë

Bashkitë ngrenë shqetësim për borxhin e trashëguar nga ish-komunat, që një pjesë e tyre thonë se po i penalizon në marrjen e kredive të reja për kryerjen e investimeve.

Problematika u ngrit nga Shoqata për Autonomi Vendore, e drejtuar nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj gjatë një dëgjese në Komisionin e Ekonomisë për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.

Veliaj kërkoi në emër të bashkive që përfaqëson shoqata që drejton, që të gjendet një zgjidhje për këtë çështje.

“Një nga shqetësimet që ne kemi është për borxhet e prapambetura të bashkive që janë trashëguar nga ish-komunat. Ka bashki të cilat janë sot më të mëdha se në 2015, por kanë trashëguar borxh nga ish-komunat. Fatura e këtyre kredive u ka mbetur bashkive, një faturë që është një gur në qafën e një bashkie që e bën të pamundur që të marrë një kredi, apo të zhvillohet për gjëra që kanë qenë komplet jashtë vendimmarrjes së para 2015. Duhet të marrim një vendim, ose duhet të gjejmë një mënyrë se si reduktohet, ose do ta fshijmë nga librat, ose do ta absorbojë Ministria e Financave. Duhet gjetur një zgjidhje”, tha Veliaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë