Para

Kreditë e këqija vijojnë uljen, bien në nivelin 7.88%

Raporti i kredive me probleme ka shënuar një ulje të lehtë për muajin prill.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit prill ky tregues zbriti në 7.88%, nga 7.96% që kishte qenë në fund të muajit mars.

Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë,treguesi ka rënë me 0.4 pikë përqindje.

Ky raport ka vazhduar të bjerë edhe pas përfundimit të afatit të masave rregullatore të Bankës së Shqipërisë, të cilat iu lejonin bankave të mos klasifikonin si të këqija kreditë e ristrukturuara gjatë periudhës.

Këto masa ndikuan sidomos në portofolin e kredive për biznesin, ku në disa sektorë efektet e krizës ishin më të forta dhe më të gjata në kohë.

Edhe duke pasur parasysh vlerën totale të portofolit të ristrukturuar, në projeksionet e tyre bankat nuk presin një rritje të raportit të kredive me problem me më shumë se 2%.

Vazhdimësia e rritjes pozitive të kreditimit ka luajtur një rol të rëndësishëm në uljen e raportit të kredive me problem, pavarësisht krizës. Sidoqoftë, kriza ka patur pasojat e saj dhe sipas BSH në kushte normale ulja e raportit të kredive me probleme do të kishte qenë më e madhe.

Të dhënat e bankës qendrore tregojnë se në fund të muajit prill raporti i kredive me probleme për individët ishte në nivelin 5.47%, ndërkohë që në mars të vitit të kaluar, në kohën e shpërthimit të pandemisë, kishte qenë 5.21%. Ky tregues shënoi rritjen më të ndjeshme në muajt shtator dhe tetor të vitit të kaluar.

Në muajt e fundit të vitit 2020, ky raport ra pranë niveleve aktuale dhe që atëherë nuk ka pësuar luhatje shumë të mëdha, me përjashtim të një rritjeje të lehtë dhe të përkohshme në muajin shkurt.

Raporti i kredive me probleme për bizneset ka vazhduar rënien dhe në fund të muajit prill ky raport zbriti në 9.42%, niveli më i ulët në më shumë se një dekadë.

Ecuria e segmentit të biznesit ngelet përcaktuese në cilësinë e portofolit të kredisë bankare, sepse ky segment përbën më shumë se 60% të totalit të huasë për ekonominë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë