Para

Kreditë e këqija u ulën gjatë muajit mars, BSH: Norma e interesit s’ka dhënë ende ndikim

Nga Gazeta ‘SI’ – Kreditë e këqija u pakësuan gjatë muajit mars, duke arritur pikën më të ulët ndonjëherë.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, stoku i kredive me problem ra nga 4.64% gjatë muajit mars duke vazhduar kështu tendencën në rënie që nisi në 2024-n. Po ashtu, një ngrirje e normave të interesit që prej nëntorit të vitit të shkuar në nivelin e 3.25%, duket të ketë ndihmuar në këtë drejtim.

“Pavarësisht pritjeve, rritja e normave të interesit nuk ka shfaqur ende një ndikim të dukshëm negativ në cilësinë e kredisë. Rënia e kredive me probleme lidhet me riklasifikimin e kredive me probleme në klasa më të mira, fshirjen e kredive të humbura, si dhe shlyerjen e një pjese të kredive me probleme”, thotë Banka e Shqipërisë.

Rënia e kredive me problem lidhet dhe me zhvlerësimin e euros dhe forcimin e lekut, duke përmirësuar kështu aftësinë paguese të klientëve. Një arsye e tkurrjes së kredive të këqija është edhe reduktimi në tërësi i portofolit të kredive, pasi bankat në vend kanë miratuar më pak hua muajt e shkuar.

Në fund të muajit mars, portofoli i kredisë për ekonominë arriti vlerën e 763.2 miliardë lekëve, me një rritje prej më shumë se 13 miliardë lekësh krahasuar me shkurtin. Me bazë vjetore, rritja e kredisë ka kërcyer në nivelin 7.3% krahasuar të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa në fund të shkurtit rritja vjetore ishte 5.6%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë