Para

Kredia u zgjerua edhe më shumë në Tiranë gjatë tremujorit të parë

Rritja e kredisë në tremujorin e parë është përqendruar e gjitha në Tiranë.

Sipas statistikave të BSH,  Tirana është qarku i vetëm ku portofoli i kredisë është zgjeruar, me rreth 10 miliardë lekë më shumë krahasuar me fundin e vitit 2020. Në të gjitha qarqet e tjerë të vendit, portofoli i kredisë është në rënie.

Në fund të tremujorit të parë të këtij viti, huaja në qarkun e Tiranës përbënte 75.7% të portofolit total të huasë dhënë nga sektori bankar, nga 74.8% që zinte një vit më parë.

Sipas BSH, në tremujorët e fundit rritja e kredisë për ekonominë ka ardhur sidomos nga ecuria pozitive në segmentin e biznesit të madh dhe në kredinë për blerje banesash nga individët.

 Këto produkte janë të lidhura në një pjesë të madhe me kryeqytetin, që ka tregun më të rëndësishëm të pasurive të paluajtshme dhe njëkohësisht edhe kompanitë më të mëdha në vend.

Shtysa kryesore ngelet kredia për blerjen e banesave, me një vlerë prej më shumë se 91 miliardë lekësh.

Krahasuar me një vit më parë, kredia për shtëpi në Tiranë është rritur me mbi gjashtë miliardë lekë ose rreth 7.4% me bazë vjetore. Pavarësisht krizës, kërkesa për blerjen e pasurive të paluajtshme në kryeqytet ka qenë e lartë.

Kredia për biznesin në fund të marsit kishte vlerën totale të pothuajse 311 miliardë lekëve e cila përbën rreth 81% të kredisë totale për biznesin, nga 80% që zinte një vit më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë