Para

Kredia u rrit në fillim të 2025-s. Shtohet interesi për valuta

Nga Gazeta ‘SI’ –Në tremujorin e parë të vitit, kredia për ekonominë arriti në 864 mld lekë, me një rritje prej 17% në raport vjetor. Për të gjithë tremujorin e parë, vlera e kredisë së re të disbursuar arriti vlerën e 96.8 miliardë lekëve.

Kredia e re për individët arriti në 30.5 miliardë lekë, në rritje me 24% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar. Shifrat tregojnë një rritje të kredisë si për blerjen e pasurive të paluajtshme, ashtu edhe për financimin e konsumit.

Kredia për biznesin, që dha kontributin kryesor në rritjen e kredisë gjatë vitit 2024, këtë vit po rritet me ritme më të ngadalta. Kredia e re për bizneset për periudhën janar-mars 2025 arriti në 62.8 miliardë lekë, në rritje me 8% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.

Kreditimi i ekonomisë vazhdon të dominohet nga monedha vendase, por megjithatë në tremujorin e parë të vitit vërehet një rritje e lehtë e peshës së kredisë në valutë të huaj.

Kredia në lekë përbënte 60% të huadhënies në re, por në rënie nga niveli prej 62.4% i një viti më parë. Ndërkohë, kredia në valutë ka arritur në 40% të totalit, nga 37.6% një vit më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë