Para

Kredia jashtë vendit zbriti në nivelet më të ulëta vjetore në tetorin e 2021-shit

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kredia e dhënë për huamarrës jorezidentë në Shqipëri në fund të tetorit përbënte 8.3% të portofolit të kredisë duke shënuar kështu nivelin më të ulët që prej muajit janar të vitit 2021.

Pesha e kredisë për jorezidentët shënoi një rritje sidomos gjatë tremujorit të dytë 2021, duke arritur në më shumë se 9% të portofolit të kredisë së sektorit bankar, për të shënuar një rënie graduale gjatë muajve në vijim.

Në vlerë, kredia për jorezidentët në fund të tetorit arriti në 58.5 miliardë lekë (rreth 483 milionë euro) duke u rritur me 5.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Mbështetur në të dhënat që i referohen gjashtëmujorit të pare të vitit 2020, raporti i kredive me probleme për kredinë që u është dhënë subjekteve jorezidente është relativisht i ulët, rreth 2%.

Sipas BSH-së, kredia për subjektet jorezidente në pjesën më të madhe është kredi e dhënë për bizneset, e dominuar kryesisht nga maturiteti afatgjatë.

Kredia e sektorit bankar për jorezidentët arriti nivelet më të larta në vitin 2017, kur përbënte pothuajse 15% të totalit të portofolit të huas ësë sektorit bankar në Shqipëri.

Më shumë se gjysma e depozitave në sektorin bankar shqiptar janë në valutë të huaj dhe tregu i brendshëm nuk ofron alternativa të tjera të investimit të fondeve në valutë të huaj, përveç kredidhënies. Por, në vitet e fundit kreditimi po orientohet gjithnjë e më shumë drejt lekut, i nxitur edhe nga politikat e Bankës së Shqipërisë për uljen e përdorimit të euros dhe për shmangien e rrezikut të kursit të këmbimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë