Kreditimi po shfaq një tendencë pozitive në të gjitha segmentet kryesore të tregut.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për periudhën janar-shkurt sektori bankar dha hua të reja në vlerën e 37.6 miliardë lekëve ose rreth 308 milionë eurove.
Kredia e re për ekonominë është rritur me 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.
Kredia për ndërmarrjet private në dy muaj arriti vlerën e 23 miliardë lekëve, duke u rritur me 46% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja ka shënuar edhe huaja për kompanitë publike, me një shumë totale prej 3.7 miliardë lekësh, tre herë më shumë krahasuar me një vit më parë.
Madhësia totale e portofolit të kredisë për ekonominë, e shprehur si tepricë, në fund të muajit shkurt arriti vlerën rekord të 674 miliardë lekëve ose 5.5 miliardë eurove.
Portofoli i kredisë për ekonominë rezulton në rritje me 10.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja më e lartë vazhdon të jetë në segmentin e individëve, ku portofoli është rritje vjetore me 12.8%, ndërsa për bizneset rritja në fund të shkurtit ishte 7.8%.
Banka e Shqipërisë rriti normën bazë të interesit për herë të parë pas 11 vjetësh javën e kaluar, ndërsa pritshmëritë për inflacionin e lartë bëjnë të mundshme rritje të mëtëjeshme në vazhdim.
Kjo pritet të reflektohet në çmime më të larta të huasë bankare dhe ndoshta kushte më të shtrënguara financimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.