Para

Kredia e re po i afrohet niveleve të para pandemisë

Sistemi bankar dha afërsisht 21 miliardë lekë kredi të re gjatë muajit shtator, duke iu kthyer rritjes vjetore pozitive.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kredia e re u rrit me 1.2% krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar.

Ndërkohë, kredia për individët vijoi edhe gjatë shtatorit tendencën e qëndrueshme të rritjes afatgjatë, me një zgjerim prej 4% të volumit të kredisë së re krahasuar me një vit më parë.

Sipas BSH-së në nëntë muaj bankat kanë disbursuar rreth 174.4 miliardë lekë kredi, 4.8% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Kreditimi po i afrohet gradualisht niveleve të vitit 2019, megjithëse shuma e huasë së re është rreth 2% më e ulët krahasuar me 9-mujorin e vitit 2019.

Deri tani, kontributi në rritje ka ardhur nga individët, ku kredia e re është rritur me 43%.

Rritja e kredisë për individët po udhëhiqet sidomos nga rritja e tregut të pasurive të paluajtshme, ku bankat po mbështesin fuqishëm kërkesën nëpërmjet huadhënies. Por, edhe përmirësimet në ekonomi po përmirësojnë gradualisht edhe kredidhënien me qëllim financimin e konsumit.

Ndërkohë, në segmentin e biznesit, kredia ende është në nivele më të ulëta krahasuar me vitin e kaluar, me 9% më pak.

Sinjalet pozitive të kreditimit të ekonomisë duken më qartë edhe në ecurinë e stokut të kredisë që shënoi rritje me më shumë se pesë miliardë lekë krahasuar me muajin gusht.

Në fund të muajit shtator, portofoli total i kredisë për ekonominë arriti në 636.9 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë rritja e portofolit të kredisë ka arritur nivelin 7%, nga 6.6% që kishte qenë rritja vjetore muajin e kaluar.

Pavarësisht se kredia e re ende nuk ka arritur nivelet e para pandemisë, teprica e kredisë paraqitet në rritje të qëndrueshme.

Edhe në këtë rast rritja më e lartë regjistrohet në segmentin e individëve, ku portofoli i kredisë është zgjeruar me 10.3%, ndërsa për bizneset rritja është pak më e ulët, me 7% më shumë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë