Vlera e kredisë së re të disbursuar nga sistemi bankar u rrit me 64% krahasuar me majin e vitit të kaluar, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë.
Kredia e re për ekonominë iu kthye rritjes për muajin maj dhe arriti vlerën e 15.5 miliardë lekëve.
Për pesë muajt e parë të vitit, sektori bankar ka dhënë gjithsej 84.4 miliardë lekë kredi, që ka shënuar rritje prej 15.6%.
Ndonëse është rritur, kredia e re ende nuk ka arritur nivelet që ishin në periudhën para pandemike, dhe kjo lidhet sidomos me rënien në segmentin më të madh të tregut, atë të bizneseve.
Këtë vit kredia për biznesin ka shënuar rënie me 3.6% krahasuar me një vit më parë.
Rritja e kreditimit për pesë muajt e parë të këtij viti është mbështetur nga kredia për individët. Sipas statistikave, kredia e re në këtë segment arriti vlerën e pothuajse 29 miliardë lekëve ose rreth 235 milionë euro. Krahasuar me vitin e kaluar, kreditimi për individët është rritur me 57% ose më shumë se 10 miliardë lekë.
Rritja e kreditimit të individëve po mbështetet sidomos te huaja me qëllim blerjen e pasurive të paluajtshme. Rritja e çmimeve në tregun e pasurive të paluajtshme ka bërë që individët ta shohin blerjen e një prone si një investim me leverdi.
Kredia për ekonominë ka vazhduar të rritet. Në fund të muajit maj, portofoli total i kredisë arriti në 618 miliardë lekë ose rreth 5 miliardë euro. Portofoli i kredisë u rrit me 3.3 miliardë lekë gjatë muajit maj, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar norma e rritjes ka arritur në 6.3%.
Ritmin më të lartë të rritjes e ka shënuar kredia për individëve, me 8.5% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Huaja për ndërmarrjet private është gjithashtu në rritje pozitive, me 7.1%, por rritja mesatare e portofolit është frenuar kryesisht nga rënia e ndjeshme e kredisë së kompanive publike, me 30% më pak krahasuar me një vit më parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.