Para

Kredia e re në rritje gjatë korrikut, kontributin më të madh e dhanë sërish individët

Sistemi bankar dha 24 miliardë lekë kredi të re gjatë muajit korrik e cila krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, rezulton në rritje me 12.7%.

Edhe për korrikun kontributi kryesor në rritjen e kredisë erdhi në segmentin e individëve.

Megjithatë, këtë muaj edhe kredia për bizneset private iu kthye rritjes pozitive, me 5.3% krahasuar me korrikun e vitit të kaluar.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në shtatë muaj bankat kanë disbursuar rreth 133.6 miliardë lekë kredi, 11.1% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Edhe për 7-mujorin, kontributi në rritje ka ardhur i gjithi nga individët, ku kredia e re është rritur me 58%, ndërsa për bizneset kredia e re paraqitet në rënie me 6.3%.

Megjithëse kredia e re është në rritje krahasuar me vitin e kaluar, ajo ende nuk ka arritur nivelet e periudhës së pandemisë. Kredia për individë po rritet me ritme të larta, e mbështetur sidomos nga kredia për blerjen e banesave. Por, te huadhënia për bizneset ndikimi i krizës duket ende i prekshëm.

Në tremujorin e dytë të këtij viti, bankat raportuan një lehtësim në standardet e kreditimit për bizneset, për herë të parë pas pesë tremujorësh në shtrëngim të vazhdueshëm.

Pavarësisht se kredia e re ende nuk ka arritur nivelet e para pandemisë, teprica e kredisë paraqitet në rritje të qëndrueshme.

Në dy vitet e fundit, kredia e re po shkon sidomos për qëllime afatgjata investimi, kryesisht në pasuri të paluajtshme. Kjo e ka ndryshuar strukturën e portofolit në favor të kredisë më afatgjatë dhe që siguron rritje më të qëndrueshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë