Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, portofoli i huasë së korporatave të tjera financiare, (klasifikim që përjashton bankat dhe shoqëritë e kursim-kreditit), në fund të vitit 2021 arriti në 43.4 miliardë lekë ose pothuajse 360 milionë euro.
Portofoli i kredisë i institucioneve financiare jobanka është rritur me ritme lehtësisht më të larta krahasuar me portofolin e kredisë bankare në të njëjtën periudhë.
Në pjesën më të madhe, portofoli kredisë së korporatave të tjera financiare i takon institucioneve të kredidhënies dhe mikrofinancës.
Huaja e dhënë nga këto institucione përbën rreth 6% të portofolit të total të kredisë për ekonominë. Rreziqet e reja që po sjell vala inflacioniste kanë filluar të ndihen në këtë treg. Të dhënat zyrtare për raportin e kredive me probleme nuk janë të përditësuara që prej pjesës së parë të vitit të kaluar, por drejtuesit e institucioneve shprehen se në muajt e fundit vërehet një përkeqësim i ndjeshëm i pagesave të klientëve, sidomos për mikrokreditë konsumatore.
Duke filluar nga mesi i muajit janar, mikrofinanca po përballet me një ndryshim të rëndësishëm rregullator, vendosjen e një norme tavan të interesit mbi kreditë konsumatore.
Kjo masë prek veçanërisht kompanitë që kanë në themel të aktivitetit të tyre kreditë e vogla konsumatore.
Deri në fund të muajit qershor, norma efektive maksimale e interesit (NEI maksimal) për shumat deri në 200 mijë lekë është 171.41% për kreditë me këste, 19.55% për overdraftet dhe 27.28% për kartat e kreditit. Për shumat në intervalin mes 200 mijë dhe 2 milionë lekë, NEI maksimal për kreditë për kreditë me këste është 38.79% dhe për overdraftet 16.75%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



