Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia bankare po orientohet gjithnjë e më shumë drejt afateve të gjata të maturimit.
Në fund të muajit prill kredia afatgjatë, me afat maturimi mbi pesë vjet, përbënte rreth 60.5% të portofolit total të kredisë bankare, ndërsa në të njëjtën periudhë të një viti më parë zinte pak më shumë se 57%.
Në vlerë, sektori bankar kishte një tepricë kredie afatgjatë në vlerën e rreth 368 miliardë lekëve, në rritje me 12% krahasuar me një vit më parë.
Shtysa kryesore ka qenë tendenca në rritje për të investuar në pasuri të paluajtshme, si nga individët, ashtu edhe nga bizneset, tendencë që vijoi edhe gjatë pandemisë.
Të dhënat e BSH tregojnë se kredia për blerje banesash nga individët ka arritur vlerën totale të 131 miliardë lekëve ose rreth 1.07 miliardë eurove. Ky produkt tashmë zë peshën kryesore në portofolin total të kredisë bankare dhe gjatë 12 muajve të fundit, deri në prill të këtij viti, është rritur me mbi 10.2.
Edhe kredia për pasuri të paluajtshme dhënë bizneseve po rritet me ritme të shpejta duke arritur në 107.7 miliardë lekë, në rritje me 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Për bankat, rritja e peshës së kreditimit afatgjatë është një zhvillim pozitiv, sepse mundëson një rritje të qëndrueshme të portofolit të kredisë dhe siguron të ardhura për periudha më të gjata.
Kjo përfaqëson një lloj përmbysje nga tendenca që mbizotëronte deri në vitin 2016, kur kreditimi dominohej kryesisht nga financimet për nevoja afatshkurtra të biznesit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.