Treg

‘Kredi me 0% interes për administratën/ Huaja për banesa u zgjerua me 17%

Nga Gazeta ‘SI’ – Në gjysmën e dytë të vitit 2024, bankat tregtare zgjeruan më tej stokun e kredisë për individë, duke prekur nivelin më të lartë të 5 viteve të fundit.

Shifrat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia për banesa u rrit me 17.4% ose 14 miliardë lekë në gjashtëmujorin e dytë. BSH thotë se zgjerimi i kësaj kredie u ndikua edhe nga programi lehtësues i qeverisë për punonjësit e administratës. Kredia për banesa mban 67.4% të totalit të stokut të kredive.

Kredia konsumatore ka pasur po ashtu një ecuri pozitive, me rritje vjetore 15.3%.

Banka raporton një rikthim të kredive në euro, që lidhet kryesisht me huanë hipotekore, por monedha lek mbetet më e preferuara dhe mban 74.3% të totalit.

Për të dyja monedhat, normat e interesit janë ulur gjatë gjashtëmujorit të dytë 2024.

Një rritje e fortë e kredisë raportohet edhe për bizneset me 16.6%, kryesisht për biznesin e madh, 28%. Kredia për biznesin e mesëm u ngadalësua në 3.8%.

Përshpejtim të ndjeshëm shënoi edhe kredia për sektorin e industrisë dhe tregtisë me norma të larta rritjeje përkatësisht me 20% dhe 15.8%. Ndërkohë, kredia për sektorin e ndërtimit dhe për bujqësinë shënoi një rritje me mesatarisht 16.5% dhe 11.4%.

Më e theksuar kjo kërkesë ka qenë për investime të lidhura si me sektorin energjetik- projekte për energjinë e rinovueshme; ashtu edhe me sektorin e hotelerisë, si dhe me sektorët që lidhen me hallka të tjera të zinxhirit ekonomik dhe që reflektojnë interesin e shtuar për turizëm në vendin tonë, analizon Banka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë