Drejtësia

Kreu i SPAK: Pandëshkueshmëria për arsye të lidhjeve politike, ka marrë fund

Kreu i SPAK, Arben Kraja tha se institucioni që ai drejton do t’i shkojë deri në fund hetimeve të hapura penale “ndaj personave zyrtarë apo jo zyrtarë që janë të përfshirë në krim të organizuar apo korrupsion”.

Rritja e numrit të rasteve penale që po referohen në SPAK tha Kraja, është tregues për rritjen e besimit të qytetarëve tek ky institucion dhe pritshmërisë që ata kanë për të bërë drejtësi.

“Të jemi të ndërgjegjshëm se midis pritshmërisë e mundësisë për ta realizuar janë dy koncepte të ndryshme, pritshmërtitë janë mbi bazë opinionesh, por ne punojmë mbi bazë provash, por megjithatë kjo s’na pengon që ti shkojmë deri në fund të gjitha rasteve që kemi apo do kemi në të ardhmen pavarësisht kush do jenë personazhet e përfshirë”, tha Kraja.

Sipas tij, SPAK i ka dhënë fund konceptit të pandëshkueshmërisë për arsye të lidhjeve politike.

“Në raport me të ardhmen prioritetet i kemi të qarta: në radhë të parë është lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe sekuestrimit të aseteve kriminale. Koncepti i pandëshkueshmërisë për arsye të lidhjeve politike, për arsye të suportit financiar apo për arsye të rrezikshmërisë të personave që ne merremi do marrë fund, ne punojmë me parimin që të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe kështu do vijojmë deri në fund”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë