Analize

Krah Rusisë, sy nga Europa dhe një krizë e re në veri të Kosovës. Shumë alarme nga Serbia që askush s’i dëgjon…

Nga Gazeta ‘Si’ - Në fillim ishte vizita speciale e presidentit kinez Xi Jinping.

Pastaj ajo e kancelarit gjerman Olaf Scholz. Mandej ‘një përqafim i ngrohtë’ nga presidenti francez i cili erdhi me një marrëveshje prej 3 mld lekësh dhe një tufë avionësh Rafalë.

Së fundmi, një takim vëllazëror mes zv.kryeministrit të Serbisë Aleksander Vulin dhe presidentit të Rusisë Vladimir Putinit.

Zhvillimet, në një hark kaq të shkurtër kohor po ndodhin nën dritën e një sfondi të vështirë gjeopolitik dhe zhurmnajës së protestave të vazhdueshme në Serbi për zgjerimin e minierave të litiumit.

Megjithatë, Perëndimi ende po i mban sytë e mbyllur. Por përse Serbia, edhe pse e konsideruar si një dorë e zgjatur e Rusisë, po i reziston ‘presionit’ nga ndërkombëtarët për t’i vendosur sanksione Rusisë dhe po përfiton karota në vend të shkopinjve?

Me çfarë po e fiton Vuçiç Perëndimin?

Përpjekjet e presidentit serb Aleksandar Vuçiç për t'u bërë udhëheqësi i preferuar i Ballkanit po ndikohen drejtpërdrejtë nga marrëveshja e litiumit.

Vuçiç ia doli të mbyllë një marrëveshje për të furnizuar Bashkimin Europian me litiumin që i nevojitet për të fuqizuar flotën e tij të automjeteve elektrike të së ardhmes.

Ndonëse marrëveshja ka rizgjuar një valë protestash masive në vend, ai ka injoruar me tërë mend thirrjet edhe përpjekjet për ta rrëzuar, duke lënë të kuptohet që i intereson më shumë ‘bekimi’ nga Brukseli. Sakaq, edhe nga Berlini.

Kancelari gjerman dhe presidenti Vuçiç

Referuar vlerësimeve nga Ministria e Minierave dhe Energjisë, pritet që miniera të prodhojë 58.000 tonë metrikë deri në vitin 2030 - mjaftueshëm për të vendosur bateri në 1.1 milionë automjete elektrike.

Ndërkohë, entuziazmi i BE-së nuk po ndikohet asfare nga njerëzit në Serbi, të cilët mendojnë se mbështetja e saj tek Vuçiç vetëm sa ka inkurajuar tendencat e tij autokratike. 

Përqafimi i Beogradit nga Parisi

11 marrëveshjet u arritën pavarësisht shqetësimeve të sigurisë në lidhje me përqafimin e Beogradit nga Parisi, i cili mban marrëdhënie të ngushta me Moskën dhe Pekinin.

Edhe pse gjatë konferencës së përbashkët me Macron, Vuçiç deklaroi se Serbia nuk do të vendosë kurrë sanksione ndaj Rusisë dhe për këtë nuk ndjen turp, Macron megjithëkëtë i rrahu shpatullat.

Ai nuk ngurroi ta konsideronte atë një mik të veçantë.

“Franca të do ashtu siç e ke dashur atë!”, pat deklaruar ai në 2019-n gjatë vizitës së tij të fundit në kryeqytetin serb, ku fjalimet e tij me theks në gjuhën vendase u ndërprenë shpesh nga brohoritjet e zjarrta nga turma e madhe e mbledhur.

Edhe kësaj here, mesazhi erdhi nën pusulluën “Nga Parisi me dashuri....”

Një takim krejt vëllazëror

Prej se Serbia konfirmoi pjesëmarrjen e Aleksandar Vullinit në margjina të forumit ekonomik në Vlladivostok, u aludua për shumëçka nga temat që pritej të diskutoheshin.

Megjithatë, ishte pak por e sigurt që veç tensioneve në Ballkan dhe diskutimeve për rënien e vëllimit të tregtisë, nuk do të mungonin deklaratat për miqësinë e hekurt mes dy vendeve.

Dhe nuk u desh shumë.

Me kreshendo nacionaliste Vulin deklaroi gjatë takimit se Serbia nuk do të bëhet kurrë anëtare e paktit të NATO-s, që nuk do të vendosë kurrë sanksione ndaj Rusisë dhe sakaq as nuk do të lejojë kurrë që veprime anti-ruse të kryhen prej territorit të saj.

I njohur për lidhjet e tij me Rusinë, ndërsa prej 11 korrikut të vitit të kaluar është futur në listën e zezë amerikane dhe është shpallur non-grata, deklaratat e tij kaluan ‘si pa të keq’ nga ndërkombëtarët.

Alarmi për një krizë në veri po bie... në veshë të shurdhër

Prej dy ditësh, Serbia ka paralajmëruar se do të vendosë barrikada në të gjithë pikëkalimet kufitare me Kosovën si rrjedhojë e mbylljes së 5 komunave paralele serbe nga kjo e fundit.

Megjithatë, veç një reagimi nga qeveria e Kosovës e cila iu bëri thirrje qytetarëve të shmangin kalimin, nuk ka patur ende asnjë të tillë nga ndërkombëtarët.

Reagimet e vetme që kanë ardhur në ditët e fundit, kanë qenë adresim për Kosovën e cila parashikon të hapë për kalim urën e Ibrit.

Që veriu rrezikon të kthehet sërish në një pikë të nxehtë konflikti, e pranoi edhe vetë kryeministri serb.

Millosh Vuçeviç, pretendoi së fundmi në një intervistë se Serbia ka mundësi të hyjë në konflikt ose të luftojë në mënyrë politike dhe diplomatike.

“Pritet një veprim nervoz i Serbisë. Një tjetër opsion për Serbinë është rruga e konfliktit, por duhet të kuptojmë se atëherë nuk është vetëm çështja e Kosovës, por e gjithë Serbisë. Atëherë nuk do të kemi problem vetëm me forcat e Kosovës, aty janë edhe KFOR-i dhe NATO-ja, duhet ta kuptojmë gjithë këtë realitet”, shtoi ai.

Ndërkohë që shtete si Mbretëria e Bashkuar e kanë përfshirë veriun në listën e vendeve të rrezikshme krahas Rusisë dhe Iranit ku nuk duhet udhëtuar, zhvillimet e pritshme paralajmërojnë se të njëjtën gjë mund të bëjnë edhe shtetet e tjera.

Megjithatë, teksa po kalojnë 48 orë dhe e premtja kur do të nisin barrikadat është vetëm disa orë larg, ndërkombëtarët nuk po lëvizin asnjë gur.

Ata reaguan vetëm pas 24 orësh nga takimi Vulin-Putin duke pyetur se në emër të kujt flet ai për aq kohë sa sipas tyre Serbia ka përsëritur qëllimin strategjik për anëtarësim në BE.

Ndërkohë heshtje të thellë për krizën në veri ka edhe nga kampi i BE-së.

Peter Stano, zëdhënësi i Bashkimit Europian i cili zakonisht nuk përton fort kur vjen puna për t’i bërë thirrje Kosovës që të ndalojë veprimet destabilizuese pas çdo akti që Albin Kurti ndërmerr, duket se ka nisur që tani një fundjavë të gjatë.

Ose, në mos kjo, atëherë alarmi i Vuçeviç nuk i duket mjaftueshëm destabilizues…


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë