Politike

KQZ u jep mandatin dy deputetëve, dalin “tradhtarë” të tjerë nga opozita

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve iu ka dhënë sot mandatin dy deputetëve nga lista shumëmërore e Partisë Demokratike në Qarkun e Dibrës dhe atë të Korçës. Halil Jakimi është deputeti më i ri opozitës, i zgjedhur nga lista e PD-së, i cili do të marrë mandatin e Xhemal Gjunkshit. Ndërsa Arlind Çaçani do të jetë deputeti i ri PD-së për Qarkun e Korçës që do të marrë mandatin e Edmond Spahos.
Ndërsa janë miratuar moszgjidhshmëria për 8 kandidatët për deputetë nga lista shumemërore e PD dhe LSI.
Arvit Bushati; Kristiano Koçibelli; Lorenc Danaj; Shkëlqim Fortuzi; Luigj Gjergji; Klajti Reçi janë kandidatët nga lista e PD-së që kanë refuzuar marrjen mandatit. Ndërsa nga LSI-ja janë Brunilda Paskali dhe Edlira Çekrezi. Pas skadimit të afatit ligjor, KQZ vendosi që të skualifikojnë kandidatët e listave të PD-së dhe LSI-së.
Me dhënien mandatit për të dy përfaqësuesit e opozitës numri i deputetëve shkon në 102 në Parlament nga 140 që janë gjithsej.

Ndërsa mësohet se ka kandidatë të tjerë nga opozita që kanë depozituar formularin Dekriminalizimit në KQZ, duke pranuar marrjen e mandatit të deputetit.
Kandidati i listës së Partisë Demokratike në Qarkun e Korçës, Andi Përmeti është paraqitur sot në KQZ për të dorëzuar formularin e dekriminalizimit.
Andi Përmeti kandidati PD-së për qarkun e Korçës pritet të marrë mandatin e deputetit dhe të jetë pjesë e “opozitës së re”.
Nga ana tjetër edhe nga LSI-ja ka pasur një tjetër kandidat që ka thyer vendimin politik. Bëhet fjalë për Eugen Bojaxhi, i cili ka garuar në zgjedhjet e fundit parlmaentare ishte në listën e qarkut të Beratit.


Ndërkaq KQZ vendosi që të regjistrojë në zgjedhje Partinë Socialdemokrate të Skënder Gjinushit dhe të subjektit tjetër Partia për Liri, Demokraci dhe Etikë, të drejtuar nga Arian Galdini. Një tjetër vendim i marrë ishte dhe plotësimi i anëtarëve të KZAZ me përfaqësues jo politik. KQZ miratoi këto emra për shkak se opozita, konkretisht PD dhe LSI nuk pranuan që të paraqisnin listës e anëtarëve sipas ligjit zgjedhor.
Pas këtij refuzimi, KQZ-ja duke u bazuar në Kodin Zgjedhor mori nismën për plotësimin e vendeve vakante me emrat që jo politikë që kanë shprehur interesin për të qenë anëtar të KZAZ-së për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.
Për t’iu përgjigjur ndonjë bojkoti të mundshëm nga kampi i opozitës, KQZ-ja po përgatitet për shkuar në zgjedhje me komisionerë apartiakë për të plotësuar vakancat që krijohet nga refuzimi i PD-së dhe LSI-së. Në mbledhjen e nesërme KQZ-ja ka në rendin e ditës miratimin e listës së emërore të shtetasve të cilët mund të emërohen kryesisht nga KQZ për plotësimin e vakancës në KZAZ.
Gjithashtu në rendin e ditës është edhe emërimi kryesisht i anëtarëve dhe sekretarëve të KZAZ-ve, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 30 qershor 2019. Disa ditë më parë, KQZ-ja ka miratuar listën e propozuar nga ana e Partisë Socialiste për anëtar të KZAZ-së.
KQZ vendosi ngritjen e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 30 qershor 2019. Mbledhja e parë e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor, do të zhvillohet ditën e enjte dhe ditën e premte, datë 11 dhe 12 Prill 2019, ora 10.00 në Selitë e KZAZ-ve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë